
Autoritetet në Nepal kanë intensifikuar operacionet për shpëtimin e qindra punëtorëve që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në tunelet e një hidrocentrali, duke përdorur edhe shpërthime të kontrolluara për të krijuar rrugë të reja aksesi.
Shumë prej 933 punëtorëve të raportuar të zhdukur besohet se ndodhen brenda kompleksit të hidrocentralit Trishuli-3A, në distriktin Rasuwa. Ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte të vështira, ndërsa rritet shqetësimi se koha për gjetjen e të mbijetuarve po ngushtohet.
Rreth orës 02:00 të së hënës, ekipet kryen një shpërthim të kontrolluar në afërsi të hidrocentralit, me qëllim hapjen e një rruge të re drejt zonave të bllokuara.
Operacioni pasoi njoftimin e zyrës së kryeministrit të dielën, sipas të cilit përpjekjet e shpëtimit po “intensifikoheshin” dhe do të përfshinin edhe operacione me shpërthime të kontrolluara.
Në terren janë angazhuar gjithashtu dy ekskavatorë, të cilët kanë hapur një gropë rreth 10 metra të thellë. Ndërkohë, ushtria nepaleze po punon për largimin e ujit, baltës dhe mbetjeve që kanë mbushur tunelin e hidrocentralit.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen të krijojnë sa më shpejt një korridor të sigurt për të depërtuar në tunele dhe për të përcaktuar fatin e qindra punëtorëve të zhdukur.






















