
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, ka paralajmëruar për një aktivitet të koordinuar hibrid që, sipas tij, synon destabilizimin e vendit dhe pengimin e avancimit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Përmes një reagimi në platformën X, Spajić deklaroi se autoritetet malazeze disponojnë të dhëna serioze operative, sipas të cilave procesi i mbylljes së kapitujve të rinj të negociatave me BE-në pritet të shoqërohet me sulme hibride.
Sipas kryeministrit malazez, në këto aktivitete dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë nga të paktën dy shtete të rajonit, ndërsa përpjekjet për destabilizim pritet të mbështeten edhe nga aktorë të caktuar politikë dhe një pjesë e mediave brenda vendit.
Spajić nuk bëri publikë emrat e shteteve për të cilat ngriti dyshime, por theksoi se përpjekje të tilla nuk do të arrijnë të ndryshojnë kursin e Podgoricës dhe as të ndalin rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar burimeve konfidenciale, raportoi se dy vendet të cilave Spajić u referohej në mënyrë indirekte janë Serbia dhe Shqipëria.
Pretendimi për përfshirjen e Beogradit dhe Tiranës vjen, deri më tani, nga raportimi i medias malazeze, ndërsa vetë Spajić nuk i ka identifikuar publikisht dy shtetet.






















