Sociale 3 September 2026, 09:41 Nga VNA

Tregtia e vapës/ Kondicionerët që shqiptarët i paguajnë qindra euro më shtrenjtë se grekët, ndërsa euro bie dhe shteti hesht

Ndaje në Whatsapp
Tregtia e vapës/ Kondicionerët që shqiptarët i paguajnë

Vapa nuk pret. Kur temperatura bëhet e padurueshme, familja nuk ka luksin të studiojë tregun për dy javë. I duhet kondicioneri sot. Dhe pikërisht kur nevoja bëhet urgjencë, konsumatori është më i pambrojtur.

Në Shqipëri, këtë verë, vapa nuk është vetëm temperaturë. Është biznes. Dhe një krahasim i thjeshtë me Greqinë nxjerr diferenca që nuk mund të kalohen më me një ngritje supesh.

Merrni Haier. Kondicioneri kolonë Haier AP71DFCHRA/1U71RECFRA, 24,000 BTU, shitet në Shqipëri për 169,990 lekë. I njëjti Haier, me të njëjtin kod dhe të njëjtin kapacitet, ofrohet në tregun grek rreth 1,095 euro në një ofertë aktuale të verifikuar.

Me kursin 92.28 lekë për euro, 169,990 lekë janë rreth 1,842 euro. Diferenca ndaj asaj oferte greke është afërsisht 747 euro - rreth 68 për qind më shumë.

Dhe nuk mbaron këtu.

Merrni Midea MFYA400, kolonë 24,000 BTU, me kod MFYA400-24HRFN8-QRD0W / MOX430UL-24HFN8-QRD0W. Në Shqipëri është listuar me 152,000 lekë. Në Greqi, i njëjti model gjendet duke filluar nga 1,348 euro, në 10 dyqane.

152 mijë lekë janë rreth 1,647 euro. Përsëri, afërsisht 300 euro më shumë.

Dy marka. Dy modele 24,000 BTU. Dy kode konkrete. Dhe në të dy rastet, çmimi shqiptar që po krahasojmë del dukshëm mbi ofertat greke të verifikuara.

Madje Greqia ka TVSH standarde 24 për qind. Shqipëria 20 për qind.

Atëherë kjo nuk është më histori për Midea-n. As për Haier-in. Është arsye për të bërë radiografinë e gjithë tregut shqiptar të kondicionerëve.

Midea, Haier, Gree, Tosot, Hisense, TCL, Elektra, Beko, Fuego, Felsen dhe operatorët e tjerë duhet t’i nënshtrohen të njëjtit test: model për model, kod për kod, faturë për faturë.

Sepse për vite konsumatorit shqiptar i është dhënë i njëjti leksion ekonomik. U rrit euro? Rriten çmimet. U shtrenjtua transporti? Rriten çmimet. U rrit inflacioni? Rriten çmimet.

Mirë. Po kur euro bie?

Euro është pranë 92 lekëve dhe leku është forcuar ndjeshëm krahasuar me vetëm pak vite më parë. Sigurisht, kursi nuk është e gjithë kostoja. Ka çmim fabrike, transport, sigurim, magazinim, garanci. Disa kontrata mund të jenë në dollarë. Greqia është treg më i madh dhe mund të negociojë çmime më të mira.

Por këto nuk janë arsye për të mos hetuar. Përkundrazi. Janë pikërisht ato që duhet të hetojë shteti.

Sepse një diferencë prej rreth 300 eurosh te një Midea kërkon shpjegim. Dhe kur te një Haier me kod identik diferenca ndaj një oferte greke shkon mbi 700 euro për një pajisje të vetme, shpjegimi duhet kërkuar me dokumente. Jo me hamendësime.

Hapni faturat.

Autoriteti i Konkurrencës duhet të marrë 30 apo 50 kondicionerët më të shitur në Shqipëri dhe t’i ndjekë nga fabrika deri te kasa. Sa kushtoi pajisja? Në çfarë monedhe u ble? Sa kushtoi transporti? Sa ishte vlera doganore? Me sa doli nga distributori? Me sa përfundoi në dyqan? Dhe, në fund: sa është marzhi?

Pastaj janë “ofertat”. Haier-i që sot shitet 169,990 lekë shfaqet nga një çmim reference 215,000 lekë. Midea 190 mijë - prerë - 152 mijë. Produkte që duken sikur jetojnë në një Black Friday të përhershëm.

Edhe këtë duhet ta kontrollojnë institucionet. Sa pajisje janë shitur realisht me çmimin e madh që sot shfaqet i prerë? Për sa kohë ka qenë ai çmim në fuqi? Sepse konsumatorit nuk duhet t’i shitet vetëm ajër i ftohtë. Nuk duhet t’i shitet edhe iluzioni se po kursen.

Dhe këtu duhet të mbarojë debati. Duhet të fillojë hetimi.

Autoriteti i Konkurrencës duhet të hapë një hetim sektorial për tregun e kondicionerëve. Ministria e Financave duhet të kërkojë të dijë se sa nga avantazhi i lekut të fortë po transmetohet realisht te çmimet e mallrave të importit. Institucionet e mbrojtjes së konsumatorit duhet të verifikojnë nëse “ofertat” dhe çmimet e referencës janë reale.

Nuk po i kërkohet shtetit të caktojë çmimin e kondicionerit. Po i kërkohet të bëjë punën e tij. Të kontrollojë nëse konkurrenca funksionon, nëse konsumatori po trajtohet ndershmërisht dhe të ndërhyjë nëse provohen praktika abuzive.

Nëse këto diferenca kanë shpjegim ekonomik, tregtarët duhet ta japin dhe institucionet duhet ta verifikojnë. Por nëse faturat tregojnë se kostot nuk i justifikojnë, se marzhet janë zgjeruar ndërsa leku është forcuar, apo se konkurrenca nuk po e transmeton uljen e kostove te qytetari, atëherë shteti duhet të veprojë.

Jo vitin tjetër. Jo pasi të mbarojë sezoni. Tani.

Sepse vapa do të kalojë. Por kjo histori nuk duhet të kalojë bashkë me të.

Hapni faturat. Krahasoni çmimet. Nxirrni marzhet. Bëjini publike. Nëse tregu është i ndershëm, kjo do ta provojë. Nëse nuk është, institucionet duhet t’i japin fund çdo praktike abuzive që provohet.

Sepse shqiptari nuk mund të jetë gjithmonë hallka që paguan: kur euro ngrihet, kur transporti shtrenjtohet, kur inflacioni rritet dhe - siç duhet verifikuar tani - edhe kur euro bie.

Kjo verë duhet të lërë pas më shumë se faturat e kondicionerëve.

Duhet të lërë pas një hetim.

Video

Një 19-vjeçar i identifikuar si Hasanal Arifin u kap nga një orangutan në kopshtin zoologjik Kasang Kulim në Indonezi, pasi kaloi barrierën e sigurisë dhe u afrua pranë kafazit për të filmuar një video. Pamjet e regjistruara tregojnë kafshën duke e tërhequr me forcë të riun nga bluza dhe këmba, ndërsa të pranishmit ndërhynë për ta shpëtuar. Stafi i kopshtit zoologjik e kritikoi veprimin për shkelje të rregullave dhe provokim të kafshës, ndërsa nga incidenti nuk pati të lënduar. Pas publikimit të videos, 19-vjeçari kërkoi falje publike për kapërcimin e distancës së sigurisë.

Një motoçiklist në Kolumbi përfundoi brenda një autobusi pasi me sa duket u përpoq të kalonte një kryqëzim me shpejtësi të madhe. Pamjet e CCTV tregojnë atë duke u ngjitur pa ndihmuar dhe duke u larguar, duke lënë motoçikletën pas.

Si e nisi e bitisi.

Shpëtimtarja iku, sepse tani e kërkon bota. Evis Sala erdhi me modernizim, digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe premtimin për fuqizimin e Onkologjikut. Një vit më pas, ajo largohet për angazhime ndërkombëtare. Ndërsa pacientëve u mbetet të zbulojnë se ku janë “hapat e rëndësishëm” që u hodhën. Ndoshta nuk dimë t’i shohim. Ndoshta duhet inteligjencë artificiale. Tani mbetet vetëm pyetja: kush do ta bëjë të pamundurën të mundur për Onkologjikun?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme