
Nga një procedurë rutinë për mirëmbajtjen e rrjetit televiziv digjital, tenderi milionësh i Radio Televizionit Shqiptar është kthyer në një emblemë të pikëpyetjeve të mëdha, përplasjeve institucionale dhe vendimeve që mbajnë erë prapaskenë. Në letrë, bëhet fjalë për një tender katërvjeçar me fond limit prej 906.9 milionë lekësh, ose rreth 9.8 milionë euro, për mirëmbajtjen e rrjetit DVB-T2. Në realitet, ngjarjet e zhvilluara që nga marsi i vitit 2025 ngjasojnë me një skenar të paracaktuar ku gara përfundoi në një monolog financiar në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

Saga nisi nën drejtimin e ish-drejtuesjes së komanduar, Aurora Polo, dhe vijoi me përplasje të ashpra administrative midis RTSH-së, Komisionit të Prokurimit Publik dhe operatorëve privatë. Por pika ku procesi humbi përfundimisht hijen e transparencës lidhet me vendimmarrjet e drejtimit të ri të institucionit, kur në krye erdhi Eni Vasili.
Në garë hynë tre bashkime operatorësh, por fusha e lojës u pastrua me shpejtësi. Dy prej rivalëve u skualifikuan, duke lënë në garë vetëm një konkurrent, bashkimin e operatorëve “IDEA - TEL” dhe “REAL COM”. Ajo që ngre pikëpyetje të forta administrative dhe etike është oferta me të cilën ata u shpallën fitues, e cila kapte vlerën e 99.1% të fondit limit. Kur një tender milionësh mbetet me vetëm një garues dhe fituesi merret me çmimin maksimal të fondit limit, këtu kemi hije dyshimi për fitues të paracaktuar.

Pyetja më e madhe që rëndon mbi këtë procedurë është se përse u eliminua oferta më ekonomike në garë. Bashkimi i operatorëve “R&T” dhe “TBS 96” kishte hyrë në konkurrim me një ofertë rreth 1 milion euro më të ulët se kompania fituese, çka do të përbënte një kursim të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
Mirëpo, në vend të vlerësimit të kësaj oferte, ndaj tyre nisi një kalvar akuzash që përfundoi jo vetëm me skualifikim, por me përjashtim për një vit nga çdo procedurë të prokurimit publik. Kriteret e vendosura që në nisje nga RTSH shfaqën shenjat e para të anomalive, pasi institucioni kërkoi pajisjen paraprake me autorizime nga prodhuesit ndërkombëtarë të pajisjeve teknologjike. Kjo kërkesë ra ndesh me rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit për shmangien e pengesave burokratike në prokurime, por pavarësisht kësaj, dy kompanitë paraqitën autorizimet e nevojshme nga kompania gjermane “PLISCH” dhe nga distributori kinez “Xiamen General Electronic Measurement”.
Absurdi i këtij procesi u thellua kur RTSH e ngriti të gjithë goditjen ndaj dy kompanive mbi pretendimin se autorizimi nga distributori kinez ishte i rremë. Për të provuar këtë, RTSH nuk komunikoi me selinë qendrore të kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz” në Mynih, por me degën e saj në Vjenë, e cila deklaroi se i kishte dhënë të drejtat vetëm kompanisë tjetër fituese.
Në mënyrë të pakuptueshme, autoriteti kontraktor zgjodhi të injoronte plotësisht autorizimin e dytë zyrtar që dy kompanitë kishin paraqitur nga gjermanët e “PLISCH”, duke mos e verifikuar fare atë. Ironia arrin kulmin kur vetë kompania kineze dërgoi zyrtarisht një shkresë ku konfirmonte se autorizimi i lëshuar në muajin prill ishte 100% autentik dhe legjitim, ndërsa revokimi i mëvonshëm erdhi vetëm për çështje të juridiksionit territorial dhe jo sepse dokumenti ishte i falsifikuar.
Goditja përfundimtare nuk erdhi nga RTSH, por nga Agjencia e Prokurimit Publik, e cila mori një vendim arbitrar duke i përjashtuar kompanitë “R&T” dhe “TBS 96” për një vit nga të gjitha tenderat publikë.
Ky dënim u mor pa kryer asnjë hetim të pavarur apo verifikim dytësor neutral pranë kompanisë kineze, duke u mjaftuar vetëm me pretendimet e RTSH-së dhe duke injoruar provat e dorëzuara nga vetë kompanitë. Më e rënda është se vendimi u publikua online pa u njoftuar fare zyrtarisht subjektet e prekuara.
Me një të rënë të lapsit, një vendim burokratik i bazuar mbi interpretime të njëanshme jo vetëm që i dha tenderin 9.8 milionë eurosh ofertës më të shtrenjtë, faktet tregojnë vetëm një gjë: garë nuk pati, por paratë u dhanë të gjitha.






















