Paratë konsiderohen shpesh një nga temat më delikate në një marrëdhënie, por sa mirë e dinë çiftet se ku i shpenzon partneri të ardhurat? “The Guardian” e vuri këtë në provë duke u kërkuar pesë çifteve të mbanin, secili më vete, një ditar të detajuar të shpenzimeve për një javë dhe vetëm në fund t’ia tregonin atë partnerit.
Rezultati nxori në pah jo vetëm blerje të papritura, por edhe dallime të mëdha në mënyrën se si dy njerëz që ndajnë të njëjtën shtëpi e shohin paranë, kursimet dhe prioritetet e së ardhmes.
Rachel dhe Kojo, që jetojnë në Northampton, ndajnë kredinë e shtëpisë dhe faturat familjare. Gjatë javës së eksperimentit, shpenzimet e Rachel kaluan 1,200 paund, të ndikuara edhe nga trajtime bukurie, produkte dhe shpenzime të lidhura me shëndetin. Nga ana tjetër, Rachel kishte rezerva për faktin që Kojo shpenzonte para për cigare, ndërsa ai u habit nga shuma që po largohej nga buxheti për shpenzimet e saj.
Në Bristol, Caitlin dhe Jasper, të dy me të ardhura të larta, rezultuan më të afërt në mënyrën se si i shihnin shpenzimet e mëdha. Çifti kishte prioritete të përbashkëta, mes tyre trajtimet IVF dhe rinovimi i pronës, por edhe aty ditari solli surpriza. Caitlin nuk e priste që Jasper të shpenzonte 354 paund për veshje brenda javës.
Gary dhe Martha në Brighton zbuluan se edhe pas shumë vitesh së bashku ekzistonin shpenzime për të cilat nuk flisnin gjithmonë. Nga gjoba të papaguara për shpejtësi deri te blerja spontane e një çante dizajneri prej 250 paundësh, ditari nxori në sipërfaqe ato vendime të vogla financiare që secili i kishte konsideruar personale.
Por rasti që shkaktoi reagimin më të fortë ishte ai i Jake dhe Ryan në Londër.
Çifti po përpiqej të kursente para me synimin për të adoptuar një fëmijë, por gjatë eksperimentit Ryan zbuloi se Jake kishte shpenzuar 5,800 paund për një orë luksoze. Blerja nuk ishte thjesht një shpenzim i madh: ajo prekte një objektiv që të dy kishin vendosur për të ardhmen e tyre dhe bëri që Ryan të vinte në pikëpyetje nëse kishin të njëjtën mënyrë të menduari për paratë.
Edhe historia e Lara dhe Max në Barcelonë tregoi një tjetër problem që mund të shfaqet brenda një çifti: diferencën e madhe të të ardhurave. Lara mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve, ndërsa Max kishte një qasje më të rezervuar ndaj luksit, megjithëse edhe ai shpenzonte për sende dizajni. Në këtë rast, paratë prekën edhe çështjen se kush ka më shumë fuqi ekonomike brenda marrëdhënies.
Në fund, eksperimenti tregoi se edhe çiftet që ndajnë shtëpinë, faturat dhe planet për të ardhmen nuk e dinë domosdoshmërisht se çfarë ndodh me paratë e partnerit pasi paguhen detyrimet e përbashkëta.
Dhe pikërisht blerjet e vogla të përditshme apo vendimet e marra pa diskutuar mund të tregojnë diçka më të madhe: nëse dy njerëz kanë të njëjtat prioritete për jetën që po ndërtojnë së bashku.






















