Një situatë shqetësuese është krijuar në Fushë-Arrëz, ku rreth 120 persona janë paraqitur gjatë katër ditëve të fundit për ndihmë mjekësore, me simptoma të ngjashme gastroenteriti. Banorët dyshojnë se shkak mund të jetë uji i pijshëm, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet.
Mjeku Nikolin Bardhoku bën me dije se pacientët e paraqitur kanë shfaqur simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku dhe nauze.
Personat që kanë kërkuar ndihmë kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe, pas përmirësimit të gjendjes së tyre, janë rikthyer në banesa.
Shqetësimi është ngritur nga banorët e zonës, të cilët dyshojnë se simptomat mund të lidhen me ujin e pijshëm. Sipas tyre, prej ditësh uji që furnizon banesat ka një erë të rëndë, ndërsa pretendojnë se pavarësisht ankesave të bëra nuk është marrë një masë konkrete për zgjidhjen e situatës.
Për rastin janë vënë në dijeni strukturat e Shëndetit Publik, Higjiena dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Nga rrjeti i ujësjellësit janë marrë mostra të ujit të pijshëm, të cilat pritet t’u nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse ka kontaminim apo probleme të tjera me cilësinë e ujit.
Deri në daljen e rezultateve të analizave, nuk ka ende një konfirmim zyrtar se uji i pijshëm është shkaku i simptomave të shfaqura te banorët.
Në lidhje me situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Mikel Qafa. Ai deklaron se përgjegjësia për furnizimin me ujë të pijshëm i takon Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër.
Qafa e ka lidhur situatën edhe me atë që ai e konsideron një përpjekje të vazhdueshme për largimin e shërbimeve nga qytetarët e Fushë-Arrëzit, duke përmendur në këtë kontekst edhe propozimin për bashkimin e Fushë-Arrëzit me Bashkinë Pukë.
Ndërkohë, në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga institucionet dhe të rezultateve të analizave, banorët kanë nisur të sigurojnë ujë për nevojat e tyre nga krojet e zonës.






















