
Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar që Ngushtica e Hormuzit të riemërtohet “Ngushtica e Trumpit”, në një kohë kur kjo rrugë strategjike ujore ndodhet në qendër të tensioneve të lidhura me konfliktin me Iranin.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump hodhi idenë e ndryshimit të emrit, duke e lidhur atë me pretendimin se Shtetet e Bashkuara tashmë kanë kontroll mbi ngushticën.
“Tani që e kemi nën kontrollin e SHBA-së, a duhet ta ndryshojmë emrin e Ngushticës së Hormuzit në Ngushtica e Trump?”, shkroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se, ashtu si Amerika, edhe ngushtica do të ishte “më e nxehtë se kurrë më parë”.
Deklarata vjen pas një tjetër nisme të debatueshme të administratës amerikane për ndryshimin e emërtimeve gjeografike. Më 27 gusht, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Liqenit Ontario në “Lake America” për përdorim zyrtar federal në SHBA.
Ndryshimi është reflektuar edhe në Google Maps dhe Apple Maps për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Kanada liqeni vijon të njihet me emrin “Lake Ontario”.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët detare më të rëndësishme strategjike në botë, veçanërisht për transportin e naftës dhe gazit.
Në javët e fundit, SHBA-ja ka deklaruar se ka marrë kontrollin e kësaj rruge ujore, ndërsa përplasjet me Iranin kanë shtuar ndjeshëm tensionet në rajon.






















