Turqia synon të zgjerojë bashkëpunimin bërthamor me Rusinë dhe të ndërtojë centrale të tjera pas përfundimit të projektit gjigant të Akkuyu-t.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e bëri të qartë këtë pas takimit kokë më kokë me presidentin rus Vladimir Putin në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kirgistan.
Centrali Akkuyu, që po ndërtohet nga korporata shtetërore ruse Rosatom në bregdetin mesdhetar të Turqisë, është tashmë në fazat përfundimtare.
Katër reaktorët e tij pritet të prodhojnë rreth 10% të gjithë energjisë elektrike të Turqisë pasi centrali të vihet plotësisht në funksion.
Por Erdogan sinjalizoi se Akkuyu mund të jetë vetëm fillimi. Ai tha se Turqia dhe Rusia mund të ndërmarrin së bashku hapa për hapjen e centraleve të tjera bërthamore.
Afrimi energjetik me Moskën ka peshë të veçantë gjeopolitike. Turqia është anëtare e NATO-s, por ka ruajtur marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe politike me Rusinë edhe gjatë luftës në Ukrainë.
Rreth 70% e nevojave energjetike të Turqisë plotësohen nga importet. Vetëm vitin e kaluar importet turke nga Rusia arritën rreth 42.4 miliardë dollarë, prej të cilave afro 29.8 miliardë dollarë lidheshin me energjinë.
Erdogan deklaroi se marrëdhëniet ruso-turke ndodhen në një nivel më të avancuar se në çdo periudhë të mëparshme, ndërsa Putin e përshkroi Turqinë si një nga partnerët e privilegjuar të Moskës.






















