Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka paralajmëruar Serbinë lidhur me planet për varrimin me nderime shtetërore dhe ushtarake të Ratko Mlladiçit, duke theksuar se glorifikimi i një krimineli lufte bie ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Duke folur në Forumin Strategjik të Bledit, Kos e cilësoi Mlladiçin si një kriminel lufte të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, duke iu referuar veçanërisht rolit të tij në masakrën e Srebrenicës.
“Glorifikimi i Ratko Mlladiçit si kriminel lufte është në kundërshtim me vlerat themelore evropiane dhe nuk ka vend në Bashkimin Evropian, as në vendet që synojnë të bëhen pjesë e unionit”, deklaroi Kos para gazetarëve.
Ajo shtoi se do ta ndjekë nga afër situatën në Serbi dhe se mënyra se si do të zhvillohen ngjarjet do të merret në konsideratë në vlerësimin e mëtejshëm të vendit në procesin e integrimit evropian.
“Shpresoj që qeveria në Beograd ta kuptojë se çfarë është në lojë”, tha komisionerja evropiane, duke shtuar se zhvillimet rreth rastit të Mlladiçit do të jenë pjesë e vlerësimit të saj.
Deklaratat e Kos vijnë pasi ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiç, kishte deklaruar më herët se Mlladiçi ka të drejtë të përcillet me të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore.
Ratko Mlladiçi ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së serbëve të Bosnjës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri në vitin 1995. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë e dënoi atë me burgim të përjetshëm në vitin 2017, ndërsa dënimi u konfirmua në vitin 2021.
Nën udhëheqjen e tij, forcat serbe të Bosnjës kryen masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku u vranë rreth 8,700 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem.
Gjykatat ndërkombëtare e kanë cilësuar vrasjen masive të boshnjakëve në Srebrenicë si gjenocid. Ngjarja konsiderohet një prej krimeve më të rënda të kryera në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Çështja e varrimit të Mlladiçit me nderime shtetërore ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa deklaratat e Komisioneres Evropiane tregojnë se ky zhvillim mund të ndikojë edhe në mënyrën se si Brukseli do të vlerësojë qëndrimin e Serbisë ndaj krimeve të luftës dhe vlerave evropiane.






















