
Keir Starmer do të largohet edhe nga Parlamenti britanik, pak javë pasi u detyrua të largohej nga Downing Street dhe u zëvendësua nga Andy Burnham në krye të qeverisë britanike.
Ish-kryeministri laburist kishte këmbëngulur më herët se do të qëndronte si deputet i zonës Holborn and St Pancras, por tashmë ka vendosur të japë dorëheqjen edhe nga mandati parlamentar. Largimi i tij pritet të hapë një zgjedhje të pjesshme delikate për Partinë Laburiste, veçanërisht përballë sfidës së të Gjelbërve në këtë zonë.
Në një prononcim për gazetën lokale Camden New Journal, Starmer tha se ishte koha “t’ia kalonte stafetën një pasuesi” dhe se pas largimit nga Parlamenti do të fokusohej te çështjet ndërkombëtare, përfshirë mbrojtjen, sigurinë, tregtinë dhe teknologjinë në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Ai tha gjithashtu se do të vijojë punën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, një çështje që, sipas tij, ka qenë e rëndësishme për të edhe përpara se të bëhej deputet.
Dorëheqja e tij shënon një tjetër kthesë në karrierën politike të ish-kryeministrit, i cili fillimisht kishte deklaruar se do të vazhdonte të ishte deputet edhe pas humbjes së postit të kryeministrit. Por largimi i tij i plotë nga politika parlamentare tregon se presioni politik dhe ndryshimi i lidershipit brenda laburistëve kanë prodhuar një ndarje më të prerë nga e shkuara e afërt e partisë.
Shënim: leksioni për Shqipërinë
Rasti i Starmer ka një leksion të thjeshtë edhe për politikën shqiptare: kur nuk të duan më, largohesh. Nuk i imponohesh publikut me forma të tjera, nuk kapesh pas karriges, nuk kërkon rrugë anësore për të mbetur në lojë dhe nuk e trajton mandatin si pronë personale.
Në demokraci, humbja e besimit politik nuk kurohet me manovra procedurale. Ajo pranohet. Dhe pikërisht aty ndahet kultura demokratike nga politika e mbijetesës me çdo kusht.






















