Politika 3 September 2026, 09:52 Nga VNA

Thesari vetëm ekzekuton: për pagat e bllokuara të drejtësisë, ndiqni urdhrin deri te qeveria

Ndaje në Whatsapp
Thesari vetëm ekzekuton: për pagat e bllokuara të

Ka diçka më shqetësuese se vetë fakti që gjyqtarët dhe prokurorët po presin pagat. Është ideja se një hallkë e administratës mund të mbajë pezull një çështje që prek drejtpërdrejt pushtetin gjyqësor dhe, ndërkohë, askush të mos dijë qartë kush e mori vendimin.

Në fillim mund të dukej si një problem teknik. Pastaj si një mosmarrëveshje për mënyrën e llogaritjes së pagave. Por sa më gjatë vazhdon bllokimi, aq më pak bindëse bëhet ideja se kemi të bëjmë vetëm me një ngatërresë kontabiliteti.

Më 17 shkurt, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozitat që kishin ndryshuar formulën e pagave të magjistratëve dhe i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për të ndërhyrë. Afati kaloi pa një zgjidhje ligjore. Më pas KLGJ dhe KLP vepruan mbi situatën juridike të krijuar. Sot debati ka mbërritur te Thesari dhe te ekzekutimi i pagave.

Por konflikti nuk është mes gjykatave dhe Thesarit. Thesari është hallka që ekzekuton pagesat. Konflikti është mes pushtetit gjyqësor dhe qeverisë, nëse kjo e fundit kundërshton mënyrën se si KLGJ dhe KLP kanë zbatuar situatën juridike të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ministria e Financave mund të ketë një interpretim tjetër juridik. Mund të mendojë se KLGJ dhe KLP kanë shkuar përtej asaj që lejon ligji. Nëse është kështu, le ta thotë dhe le ta mbrojë atë qëndrim me mjetet që parashikon shteti i së drejtës.

Por moskalimi i parave nuk mund të zëvendësojë argumentin juridik.

Nëse ekziston një pengesë ligjore, publiku dhe institucionet duhet ta dinë. Me akt. Me nen. Me firmë. Nëse nuk ekziston, pagat duhet të ekzekutohen.

Dhe nëse nuk ekzekutohen, atëherë pyetja ndryshon.

Kush e dha urdhrin?

Kush vendosi që pagesat të mbaheshin pezull? Kush e përcolli vendimin? Kush e zbatoi? Kush ishte në dijeni të kundërshtimeve juridike dhe vendosi që situata të vazhdonte?

Nëse ka indicie se pas bllokimit nuk qëndron një defekt teknik, por një vendimmarrje e vetëdijshme dhe potencialisht e paligjshme, Prokuroria duhet të verifikojë faktet.

Aktet, shkresat, komunikimet dhe urdhrat mund të tregojnë rrugën. Nga strukturat e Thesarit te drejtuesit administrativë të Ministrisë së Financave dhe, nëse provat e çojnë atje, deri te niveli politik. Jo për të shpallur fajtorë me një editorial, por për të zbuluar nëse ka pasur një veprim të paligjshëm dhe kush mban përgjegjësi për të.

Sepse në një administratë hierarkike, përgjegjësia nuk është domosdoshmërisht te dora që ekzekuton urdhrin. Mund të jetë te dora që e jep atë.

Sigurisht, një pagë e pakaluar nuk e bën automatikisht askënd autor të një vepre penale. Mund të ketë një problem teknik. Mund të ketë një konflikt real juridik. Përgjegjësia penale është individuale dhe duhet provuar. Pikërisht për këtë shërben hetimi: jo për të paracaktuar fajtorin, por për të ndarë gabimin nga vendimi, paaftësinë nga dashja dhe mosmarrëveshjen nga shkelja.

Por këtu fillon pjesa që duhet t’i interesojë edhe më shumë qytetarit të zakonshëm.

Nëse një segment i administratës guxon të përplaset në këtë mënyrë me gjyqtarët dhe prokurorët, në një çështje që lidhet me pasojat e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, imagjinoni çfarë mund t’i bëjë njeriut që nuk ka as togë, as prokurori dhe as institucion pas vetes.

Atij që pret prej vitesh regjistrimin e pronës. Atij që endet për një pension. Sipërmarrësit që i mbahet peng një leje. Familjes që ka fituar një të drejtë dhe administrata thjesht nuk ia zbaton.

Nëse shteti guxon ta provojë forcën e tij me njerëzit që kanë në dorë Kodin Penal, çfarë duhet të presë njeriu që ka në dorë vetëm një dosje me letra?

Pikërisht këtu kjo histori pushon së qeni histori pagash. Bëhet histori pushteti.

Dhe bëhet një provë për vetë Prokurorinë.

Jo sepse këtë herë janë prekur pagat e prokurorëve dhe ata duhet të mbrojnë interesin e tyre. Përkundrazi. Sepse nëse Prokuroria nuk është në gjendje të kërkojë llogari kur dyshohet se administrata ka vepruar në mënyrë të paligjshme edhe ndaj vetë sistemit të drejtësisë, qytetari ka të drejtë të pyesë se çfarë shprese ka ai kur përballet i vetëm me të njëjtën administratë.

Nëse nuk mbroni dot ligjin kur shkelja ju prek edhe ju, si do ta mbroni qytetarin kur shkelja prek vetëm atë?

Kjo është pyetja e vërtetë.

Për vite shqiptarëve u është thënë se Reforma në Drejtësi ndërtoi institucione të afta të përballen me pushtetin. Këto institucione nuk provohen në konferenca. Provohen pikërisht në momente të tilla: kur duhet të vendosin nëse do të shohin nga ana tjetër apo do të ndjekin provën, edhe kur ajo mund t’i çojë te njerëz me pushtet.

Nëse nuk ka shkelje, hetimi do ta tregojë. Nëse ka, duhet ndjekur dokumenti, urdhri dhe firma. Nga Thesari te Ministria e Financave. Dhe, nëse prova shkon më lart, edhe më lart.

Hetimi duhet të ndalet aty ku mbarojnë provat. Jo aty ku fillon pushteti.

Në fund, kjo histori nuk do të tregojë vetëm nëse gjyqtarët dhe prokurorët do të marrin pagën. Do të tregojë nëse drejtësia shqiptare është në gjendje të mbrojë qytetarin, kur ende duhet të provojë se është në gjendje të mbrojë ligjin edhe kur shkelja troket në derën e saj.

Deri te firma e fundit.

Video

Një 19-vjeçar i identifikuar si Hasanal Arifin u kap nga një orangutan në kopshtin zoologjik Kasang Kulim në Indonezi, pasi kaloi barrierën e sigurisë dhe u afrua pranë kafazit për të filmuar një video. Pamjet e regjistruara tregojnë kafshën duke e tërhequr me forcë të riun nga bluza dhe këmba, ndërsa të pranishmit ndërhynë për ta shpëtuar. Stafi i kopshtit zoologjik e kritikoi veprimin për shkelje të rregullave dhe provokim të kafshës, ndërsa nga incidenti nuk pati të lënduar. Pas publikimit të videos, 19-vjeçari kërkoi falje publike për kapërcimin e distancës së sigurisë.

Një motoçiklist në Kolumbi përfundoi brenda një autobusi pasi me sa duket u përpoq të kalonte një kryqëzim me shpejtësi të madhe. Pamjet e CCTV tregojnë atë duke u ngjitur pa ndihmuar dhe duke u larguar, duke lënë motoçikletën pas.

Si e nisi e bitisi.

Shpëtimtarja iku, sepse tani e kërkon bota. Evis Sala erdhi me modernizim, digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe premtimin për fuqizimin e Onkologjikut. Një vit më pas, ajo largohet për angazhime ndërkombëtare. Ndërsa pacientëve u mbetet të zbulojnë se ku janë “hapat e rëndësishëm” që u hodhën. Ndoshta nuk dimë t’i shohim. Ndoshta duhet inteligjencë artificiale. Tani mbetet vetëm pyetja: kush do ta bëjë të pamundurën të mundur për Onkologjikun?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme