Në vitet e drejtimit të qeverisë, Edi Rama disa herë ka përdorur skemën e prurjes në qeveri apo në poste kyçe të individëve që kanë krijuar një karrierë jo të pasuksesshme në vende të huaja, kryesisht në Perëndim. Teorikisht, kjo duhet të ishte një vlerë e shtuar. Sepse në vendet e zhvilluara, edhe sikur të kesh miqësi e përkrahje, karriera mbështetet mbi aftësi profesionale të spikatura, sidomos kur bëhet fjalë për dikë që vjen nga një shtet tjetër.
Pra, Rama në pamje të parë duket si drejtuesi mendjendritur i Shqipërisë, që i sjell këtij vendi në errësirë ndriçimin e botës së qytetëruar për ta mbrothësuar. Por bilanci i këtyre eksperimenteve është shumë më pak romantik sesa fotografia me të cilën janë shitur.
Kujtojmë Rudina Seserin, deputete që shfaqej në Kuvend një herë në gjashtë muaj, me paraqitje të dobët në fushatë elektorale dhe që në fund e la mandatin përgjysmë e iku. Nuk u pa ndonjë kontribut me vlerë. Sot as nuk dëgjohet më për të, sepse ajo ka zgjedhur që në asnjë formë të mos kontribuojë jashtë një posti të lartë.
Kujtojmë ministren Milena Harito me Ministrinë e saj të Inovacionit dhe sekretin e njohur nga të gjithë të hyrje-daljeve të shpeshta të bashkëshortit në institucionet shqiptare në kërkim të tenderave. Ministria e saj po ashtu gjerësisht shpiku projekte e tendera shumëfondësh. Por edhe kjo ministre iku pa ruajtur asnjë fill të hollë kontributi të mëpasëm.
Kujtojmë edhe Mirela Kumbaron, një tjetër figurë e paketuar me aromë kulture franceze, që u soll si model i sqimës perëndimore në qeverisje, por që në fund mbeti pjesë e së njëjtës makineri propagande, ku kultura, trashëgimia apo turizmi kthehen më shumë në dekor pushteti sesa në politikë publike serioze.
Mund të kujtohet edhe Bora Muzhaqi, e sjellë si fytyrë e re, e shkolluar jashtë, me gjuhën e “start-up”-eve, rinisë dhe inovacionit. Por edhe aty modeli ishte i njëjtë: shumë fjalor modern, shumë skenografi komunikimi, shumë evente e foto, por pak gjurmë reale në institucion dhe pothuajse asnjë peshë politike apo shtetërore.
Kujtojmë autorin e reformës në arsimin e lartë shqiptar, profesorin e universiteteve të Britanisë. Ky nuk zgjodhi të merrte post. Zgjodhi projektin dhe fondin e tij, e në përfundim e shleu veten duke thënë se reforma e tij ishte zbatuar gabim. Asnjë reflektim nëse reforma që këshilloi ishte e duhura. Ka edhe raste të tjera me poste më të vogla, por të rëndësishme, që vijnë e ikin pasi kanë lënë dëmin pas.
Për të ardhur te rasti më i fundit i ministres Evis Sala, e cila që në ditët e para të rolit të saj u duk se do të ishte shumë shpejt ministre e pasuksesshme. Dhe kjo po ikën, madje para se të formatohet qeveria tani në vjeshtë.
Pra, çfarë ndodh me këto individë?
Këto prurje, po i quajmë të huaja për t’i dalluar nga vendasit, jo vetëm që nuk na mbrothësojnë, por janë zhgënjyese shumëplanëshe.
Në aspektin profesional, si drejtues institucionesh përgjithësisht mbjellin rrëmujë administrative, fokusohen në propagandë idesh të përgjithshme apo tema që janë të modës dhe pozicionohen si mendjendriturit përballë një vendi injorant. Edhe gjuha e tyre e trupit e tregon qartazi se kërkojnë që njerëzit dhe vartësit e tyre t’i shohin gojëhapur dhe të peshojnë me flori çdo fjalë që nxjerrin.
Në aspektin e seriozitetit të shtetarit po ashtu dështojnë. Sepse shfaqen dhe veprojnë si individë pa rrënjë, që do ikin një ditë dhe nuk kanë nge e kohë as të dëgjojnë, as të kuptojnë dhe as të shohin me sy situatën.
Çuditërisht, në aspektin e dinjitetit individual shfaqen edhe më lëpirës e kurrizpërthyer ndaj udhëheqësit të qeverisë.
Në aspektin e sasisë së punës, i sheh gjerësisht në udhëtimet e turizmit të konferencave, me vëmendje të madhe ndaj garderobës dhe galerisë së fotove e videove, por në fund nuk gjen dot të kenë shtruar një gur themeli në institucionet e tyre.
Përsëritja e këtij modeli në mënyrë të rregullt tregon se ka një sjellje të mirëkalkuluar nga të dyja palët. Për Ramën, prurjet e huaja janë thjesht projekte marketingu dhe vegla të huaja për të arritur qëllimin e tij të tenderave apo koncesioneve. Për këta shqiptarë “të huaj”, siç duket Shqipëria u ngjan me Afrikën e kolonizuar, ku kolonizatorët europianë kërkonin të siguronin “milionëshin e parë” pa u kërkuar kush llogari, ose kërkonin të arrinin pushtetin që kishin aristokratët në vendin e tyre. Në këtë ndjekje synimesh, Rama dhe prurjet e tij të huaja e kanë gjetur pa vështirësi njëri-tjetrin.
Ne na mbetet enigma: si ka mundësi që edhe pas dekadash jete profesionale të arrirë në vendet perëndimore, të mbushura me liri dhe mbrothësi, disa individëve nuk arrihet t’u krijohet dinjiteti?!
Një magji turpëruese, por që Rama e shfrytëzon më së miri.






















