Politika 2 September 2026, 08:40 Nga VNA

Veliaj vijon nga paraburgimi spastrimin në Bashkinë e Tiranës. Sot “radha” për Blendi Sulajn

Ndaje në Whatsapp
Veliaj vijon nga paraburgimi spastrimin në Bashkinë e Tiranës.

Pas shkarkimit të Anuela Ristanit nga kompetencat për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duket se po përgatit lëvizjen e radhës brenda institucionit më të madh vendor në vend. Sipas burimeve, në listën e të larguarve të mundshëm është edhe nënkryetari Blendi Sulaj, një prej emrave të sjellë në Bashki pas ndërhyrjes politike të kryeministrit Edi Rama dhe në një moment kur ndikimi i Belinda Ballukut mbi strukturat e Tiranës ishte rritur ndjeshëm.

Sulaj u emërua nënkryetar i Bashkisë së Tiranës më 31 korrik 2025, pas dorëheqjes së katër nënkryetarëve të mëparshëm: Frida Pashakos, Keti Luarasit, Andi Seferit dhe Jonida Halilit. Në atë kohë, ndryshimet u lexuan si një riformatim i Bashkisë pas arrestimit të Veliajt dhe si një përpjekje për të vendosur institucionin nën një kontroll të ri politik. Blendi Sulaj, Gentian Këri, Ilir Mengra dhe Vasilika Vjero u prezantuan si ekipi i ri drejtues, në një moment kur Bashkia e Tiranës kishte hyrë në një fazë të pazakontë drejtimi nga distanca.

Lëvizja e parë e fortë e Veliajt erdhi më 28 gusht 2026, kur nga qelia ai shfuqizoi urdhrin me të cilin më 14 shkurt 2025 i kishte deleguar kompetencat nënkryetares Anuela Ristani. Në urdhrin e tij, Veliaj pretendonte se Ristani nuk kishte zbatuar udhëzimet dhe ishte shkëputur nga autoriteti i tij si kryetar i zgjedhur. Pak ditë më pas, më 31 gusht 2026, Ristani dha dorëheqjen edhe nga posti i nënkryetares së Bashkisë.

Tani, sipas të njëjtës logjikë politike, radha duket se po i afrohet Blendi Sulajt. Ai shihet si një prej emrave të vendosur në Bashki gjatë periudhës kur Rama dhe Balluku po përpiqeshin të administronin boshllëkun e krijuar nga arrestimi i Veliajt. Por pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që konfirmoi se Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës, ky i fundit duket se ka nisur kundërofensivën për të rimarrë kontrollin real të institucionit.

Në thelb, beteja nuk është vetëm për emra nënkryetarësh. Është për firmën, vulën dhe zinxhirin e komandës në Bashkinë e Tiranës. Pas largimit të Ristanit, largimit të sekretarit të përgjithshëm dhe lëvizjeve në kabinet, shkarkimi i mundshëm i Sulajt do të ishte një tjetër sinjal se Veliaj nuk po pranon të mbetet kryetar formal, ndërsa Bashkia drejtohet politikisht nga të tjerë.

Nëse urdhri firmoset sot, kjo do të shënonte fazën e dytë të spastrimit të brendshëm në Bashkinë e Tiranës. Dhe mesazhi do të ishte i qartë: Veliaj, edhe nga burgu, po përpiqet të çmontojë strukturën që iu vendos mbi kokë pas arrestimit të tij, duke hequr një nga një njerëzit që nuk i konsideron më pjesë të rrethit të tij të besimit.

Video

Një 19-vjeçar i identifikuar si Hasanal Arifin u kap nga një orangutan në kopshtin zoologjik Kasang Kulim në Indonezi, pasi kaloi barrierën e sigurisë dhe u afrua pranë kafazit për të filmuar një video. Pamjet e regjistruara tregojnë kafshën duke e tërhequr me forcë të riun nga bluza dhe këmba, ndërsa të pranishmit ndërhynë për ta shpëtuar. Stafi i kopshtit zoologjik e kritikoi veprimin për shkelje të rregullave dhe provokim të kafshës, ndërsa nga incidenti nuk pati të lënduar. Pas publikimit të videos, 19-vjeçari kërkoi falje publike për kapërcimin e distancës së sigurisë.

Një motoçiklist në Kolumbi përfundoi brenda një autobusi pasi me sa duket u përpoq të kalonte një kryqëzim me shpejtësi të madhe. Pamjet e CCTV tregojnë atë duke u ngjitur pa ndihmuar dhe duke u larguar, duke lënë motoçikletën pas.

Si e nisi e bitisi.

Shpëtimtarja iku, sepse tani e kërkon bota. Evis Sala erdhi me modernizim, digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe premtimin për fuqizimin e Onkologjikut. Një vit më pas, ajo largohet për angazhime ndërkombëtare. Ndërsa pacientëve u mbetet të zbulojnë se ku janë “hapat e rëndësishëm” që u hodhën. Ndoshta nuk dimë t’i shohim. Ndoshta duhet inteligjencë artificiale. Tani mbetet vetëm pyetja: kush do ta bëjë të pamundurën të mundur për Onkologjikun?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme