
Sistemi ynë i shëndetësisë sa po merrte frymë lirisht, kur papritur u godit nga një "lajm i hidhur" ndërkombëtar: Profesorja, vizionaria dhe gruaja që preki majat e shkencës botërore, Evis Sala, mbylli me sukses misionin e saj historik njëvjeçar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
E rrethuar nga një aureolë e padiskutueshme suksesi, pasi mediat plot gojë na kujtuan se kishim në krye "një nga 10 gratë më me ndikim në botë për luftën ndaj kancerit", ajo vendosi t’i thotë mirupafshim kabinetit qeveritar. Arsyeja? Bota kishte sërish nevojë për të. Siç njoftoi vetë ajo në mesazhin e saj të lamtumirës, e presin "angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji - inteligjencë artificiale - inovacion".
Rrugëtimi i saj nisi me të njëjtin mllef pasioni e vullneti sublim. Kur mori detyrën nga Kryeministri Edi Rama, deklaratat e saj premtonin transformimin radikal të shëndetësisë përmes dijes perëndimore dhe teknologjisë më të fundit. Në fjalimet e para, ajo u zotua për modernizim e digjitalizim të plotë, fuqizim të spitalit Onkologjik me metoda inovative dhe "zero tolerancë" ndaj abuzimit, duke premtuar se kanceri në Shqipëri do të luftohej me standardet e inteligjencës artificiale të Kembrixhit.
Në fakt, vizioni i saj shkencor ishte aq i thellë sa frymëzoi edhe filozofi të reja gjuhësore. Të gjithë e mbajnë mend perlën e saj të famshme:
"Asgjë nuk është e pamundur derisa bëhet e mundur."
Një e vërtetë absolute që la pa fjalë filozofët, mjekët e pacientët njëkohësisht. Dhe vërtet, brenda një viti ajo bëri të mundur atë që dukej e pamundur: ikjen me një shpejtësi rekord, pasi i vendosi të gjitha punët në vijë.
Në mesazhin e saj përmbyllës, ish-ministrja shprehet me modesti se "në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi", duke shtuar me një elegancë të rrallë se "shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur".
Në fakt, pacientët e Onkologjikut ende po përpiqen të kuptojnë cilat janë këto hapa që janë bërë të dukshëm, përveç radhëve të gjata, stacioneve pa ilaçe dhe skandaleve të njëpasnjëshme që tronditën vetë spitalin ku ajo do të duhej të ishte eksperte absolute. Por ndoshta ne thjesht nuk dimë të lexojmë inteligjencën artificiale. Ndoshta zgjidhja e problemit të Onkologjikut ishte "pjesë e hapave që sapo kanë nisur", por që fatkeqësisht do të mbeten në mes pasi globi ka nevojë urgjente për dijen e saj.
Megjithatë, ne nuk duhet të dëshpërohemi. Ndonëse iku, ajo nuk na braktisi plotësisht. Me një fjalë zemre, ajo na garantoi:
"Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar."
Me pak fjalë, Rilindja e Onkologjikut tani do të bëhet në rrugë satelitore. Pasi "detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!"
Pyetja e vetme që mbetet sot për spitalet shqiptare është kjo: Tani që shpëtimtarja e Inteligjencës Artificiale iku për të shpëtuar botën, kush do të pranojë të ulet në atë karrige për të vazhduar filozofinë e saj e për ta bërë sërish "të pamundurën të mundur"?






















