
Qeveria përplaset për të dytën herë me gjyqtarët dhe prokurorët për çështjen e pagave. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që detyronte qeverinë të rishikonte formulën e pagave për njerëzit e drejtësisë, ekzekutivi nuk mori asnjë masë. Për rrjedhojë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagat përfundimtare për njerëzit e drejtësisë.
Por qeveria bëri lëvizjen e radhës duke bllokuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve. Shoqatat e konsideruan këtë si një cenim të punës së sistemit të drejtësisë, ndërsa në orët e fundit ka ardhur edhe reagimi i Gjykatës së Lartë. Përmes një shkrese drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe për dijeni kryetarit të KLGJ-së, Ilir Rusi, kryegjyqtari Sokol Sadushi kërkon zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve.
Në vijim, ai kërkon ekzekutimin nga data 1 gusht 2026 e në vijim të pagesës referuese të përllogaritur në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe po ashtu të ndiqen procedurat buxhetore për alokimin e çdo fondi shtesë që rezulton për pagesat korente. “Trajtimin e diferencave financiare për periudhën 1 prill 2023-31 korrik 2026 sipas përcaktimeve të vendimit nr. 435/2016, pa i përdorur ato si shkak për bllokimin e pagave”, shkruan më tej Sadushi.
Sipas Sadushit, zgjidhja e menjëhershme institucionale është e domosdoshme, jo vetëm për të shmangur pasojat individuale për gjyqtarët, por mbi të gjitha për të garantuar respektimin e autoritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe të parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve.
“Respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje vullneti institucional, por detyrim kushtetues për çdo organ të Republikës”, përfundon Sadushi.






















