Politika 3 September 2026, 11:14 Nga VNA

Rama kërkon përgjimin dhe dënimin e deputetëve: “Do ju fus në burg po dërguat mesazhe për punësime”

Ndaje në Whatsapp

Çdo fillim shtatori, bashkë me nisjen e vitit politik, rikthehet edhe rituali i konsumuar i "luftës" kundër nepotizmit në radhët e socialistëve. Pasi ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë e gjysmë, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur këtë herë të rrisë dozën e presionit retorik, duke propozuar masa ekstreme si përgjimi dhe ndjekja penale për deputetët e vet që ndërhyjnë në punësimet në administratë.

Në mbledhjen me kabinetin dhe grupin parlamentar, Rama ka lëshuar kërcënime të drejtpërdrejta, duke propozuar që mesazhet e ligjvënësve për favore punësimi të trajtohen ligjërisht si vepra penale dhe të hetohen përmes përgjimeve.

“Do ju kërkoj ta votoni, që nëse shkruani SMS për të futur në punë njerëz, të quhet vepër penale. Do ju shoh në sy e do ju kërkoj ta votoni, si vepër penale”, deklaroi Rama me tone ultimatumi para deputetëve që e dëgjonin në heshtje.

Me të njëjtin optimizëm si në çdo shtator të kaluar, kryeministri pretendoi se këtë herë përzgjedhja në shtet do t'i nënshtrohet vetëm aftësisë dhe jo njohjeve personale:

“Shkalla e meritës do të bëjë që të mos parakalojnë fisi e miqtë tuaj përmes WhatsApp, por të lejojë ata që e meritojnë të punësohen në administratën publike”, u shpreh ai.

Megjithatë, ironia e këtij "revolucioni" të radhës qëndron te kontrasti me realitetin. Ndërsa shkalla e kërcënimeve verbale rritet nga viti në vit, duke kaluar nga thirrjet për ndërgjegjësim te propozimet për përgjime e burgosje të deputetëve të vetë mazhorancës, sistemi i punësimeve mbetet po ai. Pas 14 vitesh në pushtet, premtimi për eliminimin e "sekserëve" përmes kërcënimeve ligjore duket më shumë si një shfaqje e radhës propagandistike sesa si një vullnet i vërtetë për ndryshim.

Lexo gjithashtu

Video

Nëse nuk e dini për çfarë jemi të parët në rajon…

Pamje të reja nga atentati në Ndërfushaz të Mirditës, ku mbeti i vrarë Viktor Bardhi, tregojnë automjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonte viktima në momentin e sulmit. Në videon e siguruar dallohen të paktën 8 shenja plumbash në xhamin e automjetit, duke dëshmuar breshërinë e të shtënave ndaj Bardhit. Pas atentatit, automjeti është përplasur me barrierat e urës, ndërsa ka pësuar dëmtime të dukshme edhe në pjesën e përparme. Ndërkohë, në zonën e Munazit është gjetur e djegur një tjetër makinë, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas krimit.

Një 19-vjeçar i identifikuar si Hasanal Arifin u kap nga një orangutan në kopshtin zoologjik Kasang Kulim në Indonezi, pasi kaloi barrierën e sigurisë dhe u afrua pranë kafazit për të filmuar një video. Pamjet e regjistruara tregojnë kafshën duke e tërhequr me forcë të riun nga bluza dhe këmba, ndërsa të pranishmit ndërhynë për ta shpëtuar. Stafi i kopshtit zoologjik e kritikoi veprimin për shkelje të rregullave dhe provokim të kafshës, ndërsa nga incidenti nuk pati të lënduar. Pas publikimit të videos, 19-vjeçari kërkoi falje publike për kapërcimin e distancës së sigurisë.

Një motoçiklist në Kolumbi përfundoi brenda një autobusi pasi me sa duket u përpoq të kalonte një kryqëzim me shpejtësi të madhe. Pamjet e CCTV tregojnë atë duke u ngjitur pa ndihmuar dhe duke u larguar, duke lënë motoçikletën pas.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme