Edi Rama foli për rreth 70 minuta në Facebook për Besën, Pasqyrën dhe dialogun me qytetarët. Një fjalim i gjatë, i ndërtuar si leksion politik për mënyrën se si qeveria do të komunikojë me publikun dhe si qytetarët do të jenë pjesë e këtij procesi.
Por në të njëjtën kohë që kryeministri fliste për dialog, në faqen e tij zyrtare ndodhte një tjetër proces, shumë më i thjeshtë dhe shumë më i qartë: komentet fshiheshin.
Në kolonën e komenteve të transmetimit live shfaqeshin vazhdimisht njoftime se komenti ishte hequr nga moderatori. Pra, ndërsa Rama fliste për Besën, stafi besnik bënte punën e gomës fshirëse.
Pamja është më shpjeguese se çdo deklaratë. Nga njëra anë kryeministri që flet për qytetarët, nga ana tjetër qytetarët që zhduken nga ekrani sapo komentet e tyre bëhen të bezdisshme.
Kështu, “dialogu” përfundoi në një version të kuruar për konsum publik: disa komente lejohen, disa të tjera pastrohen. Besa mbetet në fjalim, Pasqyra në slogane, ndërsa në praktikë funksionon moderatori.
Në fakt e sotmja fund tregoi edhe njëherë si funksionon komunikimi politik i Rames: flitet gjatë për hapje, por më fort për filtra.





















