Qeveria e drejtuar nga Giorgia Meloni është bërë sot ekzekutivi më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane, duke mbushur 1.413 ditë radhazi në detyrë.
Koalicioni i djathtë, i cili mori pushtetin më 22 tetor 2022, ka kaluar rekordin e qeverisë së dytë të Silvio Berlusconit. Kjo e fundit qëndroi në detyrë për 1.412 ditë, nga viti 2001 deri në vitin 2005.
Për arritjen historike, kryeministri Edi Rama e ka uruar homologen italiane përmes një videoje në rrjetet sociale, duke folur në gjuhën italiane dhe duke përdorur nota humori.
“Giorgia, lexoj se nga sot je shefja e qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Por, vërtet, isha mësuar keq që vetëm unë po dilja jetëgjatë”, shprehet Rama.
Kryeministri shqiptar kujton më pas shqetësimet dhe debatet që shoqëruan ardhjen e Melonit në pushtet. Sipas tij, ndërsa në fillim emri i saj shkaktoi “tërmet” në Itali dhe jashtë saj, sot vendi ka përfituar prej drejtimit të saj.
“Për shkakun tënd, në Itali tani ka inflacion demokracie”, thotë Rama, duke iu referuar me ironi stabilitetit të krijuar nga qeveria Meloni në një vend të njohur për ndryshimet e shpeshta të ekzekutivit.
Në fund, Rama e mbyll urimin me një tjetër batutë për jetëgjatësinë e tij në krye të qeverisë shqiptare: “Tani ke vetëm një rekord për të thyer: timin”.
Giorgia Meloni është në prag të përfundimit të vitit të katërt në detyrë, ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Itali pritet të mbahen gjatë vitit 2027.





















