Fundit të javës me relaks i erdhi fundi për ligjvënësit socialistë. Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama dje në mbledhjen e grupit parlamentar, ku njoftoi nisjen e aksionit "Prania Besnike", deputetët nuk do të mund t'i gëzohen më të premteve pushim. Nga kjo javë, çdo të premte në orën 17:00, ata janë të detyruar të zbarkojnë në terren për të dëgjuar "tek për tek dhe me zë të ulët" hallet e popullit.
Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, ka reaguar menjëherë duke hartuar listën e tij të parë të "zbarkimit" për ditën e premte, 4 shtator 2026. Me logon e re zyrtare të platformës dhe parulla si "Besim, Empati, Shërbim, Angazhim", Peleshi ka ndarë territorin dhe ka caktuar detyrat për deputetët e zonës.
Lista e Peleshit: Cili deputet ku do të "sajdisë" hallet?
Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Peleshi, me të goditur ora 17:00, deputetët e Korçës do të jenë në krye të detyrës në pikat e mëposhtme:
Drenovë: Deputeti Besa Spaho
Korçë – Rajoni 2: Deputeti Romina Kuko
Miras: Deputeti Gent Lakollari
Pogradec: Deputeti Bledi Çomo
Qendër Bulgarec: Deputeti Ilirjan Pendavinji
Nismat e reja vijnë pas porosive të prera të kryeministrit Rama, i cili e bëri të qartë se "Prania Besnike" nuk është për të bërë mbledhje partie apo për të bërë propagandë para kamerave.
“‘Prania Besnike’ është dëgjim me radhë. Ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët... 'Prania Besnike' nuk jep premtime. Nuk jep numrin e telefonit... 'Prania Besnike' është kompjuter që mban shënime. Ata që ne vetëm i dëgjojmë”, deklaroi Rama.
Për t'u siguruar që deputetët nuk do ta kalojnë orën e takimit duke parë orën apo celularin, Rama ka paralajmëruar edhe një modul matjeje të performancës me 100 pikë, ku prania në territor dhe disiplina e dëgjimit do të përcaktojnë fatin e tyre politik në "mandatin e katërt".
Mbetet për t'u parë se sa pikë do të grumbullojnë deputetët e Korçës në këtë test të parë të së premtes dhe se sa "kompjutera të mirë" do të tregohen përballë ankesave të qytetarëve.




















