
Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar më 2 shtator lidhur me qëndrimin e Ministrisë së Financave për pagat në sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se ai bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke paralajmëruar kallëzim.
Reagimi vjen pasi Ministria e Financave sqaroi se ndryshimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të realizohet pa miratimin e Kuvendit. Sipas ministrisë, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese kërkon ndërhyrje dhe ndryshime ligjore, të cilat duhet të kalojnë më parë në Parlament.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave u ka dërguar një shkresë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke u kërkuar që listat e pagave të paraqiten sipas të njëjtit format të përdorur për muajin korrik.
Debati për pagat në sistemin e drejtësisë u intensifikua një ditë më parë, kur kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i kërkoi ministrit të Financave, Petrit Malaj, ndërhyrje të menjëhershme pas bllokimit të pagave.
Në letrën drejtuar ministrit, Sadushi argumentoi se pezullimi i trajtimit financiar të gjyqtarëve cenon garancinë kushtetuese për paprekshmërinë e pagës së tyre, si dhe pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor.
Kreu i Gjykatës së Lartë theksoi gjithashtu se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të përdoret si argument për pezullimin administrativ të pagave të gjyqtarëve.






















