Apeli i Posaçëm vendosi të rrëzojë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kundër vendimeve për pezullimin e afateve të paraburgimit. Vendimi u mor nga gjyqtarja Saida Dollani, pavarësisht se për këtë të fundit, Veliaj pati kërkuar përjashtimin. Veliaj përmes avokatit kundërshtonte vendimet e marra nga GJKKO në seancat e 25 majit dhe 10 qershorit 2026, seanca gjatë të cilave u pezulluan afatet e paraburgimit për Veliajn. Avokati arsyetoi në gjykatë se vendimet duheshin shfuqizuar si të pabazuara në ligj, pasi kryebashkiaku nuk ishte bërë shkak për shtyrjen e seancave. Por pretendimet nuk u morën në konsideratë nga Apeli i Posaçëm. Erion Veliaj po gjykohet në GJKKO për 13 akuza penale, ndërsa në mes të shtatorit Gjykata e Lartë pritet të shqyrtojë rekursin për masën e sigurisë.





















