Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën mëngjesin e sotëm gazetarit 26-vjeçar Xhesjon Zogu.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Vorës, ku dy automjete janë përplasur kokë më kokë. Zogu udhëtonte me një automjet tip “Land Rover” kur u përfshi në aksident.
I riu mbeti i plagosur rëndë dhe menjëherë pas ngjarjes u nis drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, 26-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se aksidenti është shkaktuar nga një parakalim i gabuar, i cili ka sjellë përplasjen ballore të dy automjeteve.
Edhe drejtuesi i mjetit tjetër ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e aksidentit që i mori jetën gazetarit të ri.





















