
Në Fushë-Arrëz kanë nisur konsultimet publike me qytetarët lidhur me propozimin e mazhorancës socialiste për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Pukën. Nisma ka hasur kundërshtime që prej publikimit të draft-propozimit, me banorët që argumentojnë se ndryshimi do t'ua vështirësonte ndjeshëm aksesin në shërbimet administrative.
Në diskutime mori pjesë edhe Frat Andreas Walterman, i cili shërben prej afro 20 vitesh në Fushë-Arrëz. Frati françeskan ngriti shqetësimin për braktisjen masive të fshatrave të zonës, të cilën e lidhi me mungesën e vëmendjes dhe investimeve nga shteti. Sipas tij, shkrirja e bashkisë rrezikon të përkeqësojë më tej situatën, jo vetëm në zonat rurale, por edhe në qytet.
Banorët e konsiderojnë propozimin një “dënim” për Fushë-Arrëzin, pasi qytetarëve të fshatrave më të largët do t'u duhet të përshkojnë distanca të konsiderueshme drejt Pukës për të marrë shërbimet e nevojshme administrative.
Gjatë konsultimeve, qytetarët kërkuan që çështja të mos trajtohet mbi baza politike, por që komuniteti të bashkohet në kundërshtimin e propozimit për shkrirjen e bashkisë.
Reagimet kundër nismës kanë nisur prej javësh. Kryetarët e njësive administrative dhe kryepleqtë e fshatrave të Fushë-Arrëzit zhvilluan më herët një kuvend të përbashkët, ku kundërshtuan propozimin e dërguar në Parlament për votim.
Në Fushë-Arrëz janë zhvilluar gjithashtu disa protesta kundër shkrirjes së bashkisë, e cila aktualisht drejtohet nga një kryetar i zgjedhur nga e djathta.






















