
Bashkimi Evropian ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Serbisë lidhur me mënyrën se si do të organizohet funerali i Ratko Mlladiç, i dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Zyrtarë të lartë evropianë kanë bërë të qartë se nderimet shtetërore apo përfshirja e përfaqësuesve të lartë të Beogradit mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
Mlladiç vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në qendrën e paraburgimit të OKB-së në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit, të lidhura mes të tjerash me masakrën e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.
Trupi i tij u kthye të enjten në Serbi me një avion qeveritar. Pamjet e transmetuara nga televizionet treguan arkivolin të mbështjellë me flamurin serb dhe të mbajtur nga ushtarë.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, kishte deklaruar më herët se Mlladiç do të varrosej me nderime shtetërore. Presidenti Aleksandar Vuçiç deklaroi më pas se do të jetë familja ajo që do të vendosë për organizimin e ceremonisë, ndërsa deri tani nuk janë konfirmuar plane zyrtare për një funeral shtetëror.
Mediat serbe raportojnë se një ceremoni përkujtimore mund të zhvillohet të shtunën, ndërsa varrimi pritet të bëhet të hënën në periferi të Beogradit.
Shefja e zgjerimit të BE-së, Marta Kos, duke folur të premten në Dublin, e cilësoi mënyrën se si Serbia do të trajtojë kthimin dhe varrimin e Mlladiçit si një test të rëndësishëm për perspektivën evropiane të vendit.
“Sjellja e eshtrave të Ratko Mlladiç në Beograd do të jetë një provë shumë e rëndësishme”, deklaroi Kos.
Sipas saj, zhvillimet në Serbi ndikojnë në mënyrën se si shtetet anëtare e vlerësojnë kandidaturën e Beogradit. Ajo theksoi se mënyra e organizimit të funeralit do të merret në konsideratë edhe në kuadër të përafrimit të Serbisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, një prej kushteve kyçe të procesit të anëtarësimit.
Edhe ministri irlandez për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, ishte kategorik.
“Funerali shtetëror do të ishte i papranueshëm”, deklaroi ai, duke shtuar se edhe pjesëmarrja e figurave të larta qeveritare në përkujtimin e Mlladiçit do të ishte e papranueshme.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevot. Në një reagim në platformën X, ai shkroi se një veprim i tillë do ta largonte Serbinë nga vlerat themelore të BE-së për respektimin e dinjitetit njerëzor, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër pandëshkueshmërisë.
Paralajmërimi më i fortë ka ardhur nga kryeministri kroat Andrej Plenković. Ai deklaroi se dhënia e nderimeve më të larta shtetërore për Mlladiçin do të ishte “ekuivalenti i mbylljes së derës së Bashkimit Evropian vetë” nga Serbia.
Sipas Euronews, shqetësimi ka mbërritur edhe në nivelet më të larta të institucioneve evropiane në Bruksel. Dy zyrtarë të BE-së, të cituar në kushte anonimiteti, kanë pohuar se planet rreth funeralit po ndiqen me shqetësim, në një kohë kur zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor konsiderohet një prioritet strategjik.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se një funeral shtetëror apo përkujtimi i Mlladiçit nga zyrtarë të lartë serbë mund të dobësojë ndjeshëm mbështetjen e vendeve anëtare për avancimin e Serbisë drejt BE-së.
“Kushdo që po shqyrton hapjen e Grupit 3 do ta mendojë dy herë. Duket shumë e pamundur që dikush të dëshirojë të shtyjë për këtë tani”, citohet të ketë thënë një diplomat evropian.
Komisioni Evropian kishte tentuar më herët gjatë verës të avanconte negociatat me Serbinë përmes hapjes së Grupit 3, që përfshin konkurrueshmërinë dhe rritjen. Procesi hasi megjithatë në kundërshtime nga disa shtete anëtare për shkak të shqetësimeve lidhur me reformat në drejtësi.
Një tjetër problem për Beogradin mbetet përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Sipas vlerësimeve të bllokut, niveli i përputhshmërisë së Serbisë është rreth 60%, më i ulëti mes vendeve kandidate dhe kandidate potenciale.






















