Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.
Kurti tha se qëndrimi i këtyre deputetëve duket se lidhet më shumë me kundërshtimin ndaj Qeverisë sesa me vetë kandidaturën e Sejdiut.
Sipas tij, marrëveshja politike e arritur mbetet në fuqi, pavarësisht qëndrimit të gjashtë deputetëve. Kurti e cilësoi atë si një marrëveshje të arritur me shumë përpjekje, të cilën e konsideron të drejtë dhe të dobishme.
“Marrëveshja politike që kemi bërë është e vlefshme, ajo marrëveshje qëndron. Është marrëveshje me shumë mund, e drejtë, e vërtetë dhe e dobishme. Çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negativ të 6 deputetëve. Duket qartë se nuk e kanë aq kundër Bekim Sejdiut, se sa kundër qeverisë”, deklaroi Kurti.
Kryeministri shtoi se kundërshtimet politike duhet të zhvillohen në Kuvend dhe përmes zgjedhjeve demokratike, ndërsa u shpreh kundër përsëritjes së vazhdueshme të zgjedhjeve me shpresën për rezultate të ndryshme.
“Për atë qëndron opozitarizmi në Kuvend dhe zgjedhje të lira demokratike. Nuk mundemi që pafundësisht të përsërisim zgjedhjet me shpresën se këtë herë do të ketë rezultate ndryshe”, tha Kurti.






















