Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike të arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për tejkalimin e krizës institucionale, duke i dhënë njëkohësisht mbështetje kandidaturës së profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë këtë të martë nga Kryesia e LDK-së, pak para mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë.
Në qëndrimin zyrtar, LDK bën të ditur se marrëveshja e negociuar me Vetëvendosjen është miratuar me unanimitet të plotë, ndërsa deputetëve të saj u kërkohet që gjatë votimit për Presidentin të veprojnë në përputhje me vendimin e organeve drejtuese të partisë.
Sipas LDK-së, marrëveshja synon jo vetëm përmbylljen e procesit për zgjedhjen e kreut të shtetit, por edhe shmangien e një krize të re politike dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të institucioneve.
“Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë”, thuhet në deklaratë.
LDK vlerëson se Bekim Sejdiu plotëson kriteret për të marrë drejtimin e Presidencës, duke nënvizuar përvojën e tij si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas partisë, profili i Sejdiut mundëson ushtrimin “e pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz” të detyrës së Presidentit, ndërsa kandidatura e tij shihet edhe si një mundësi për një figurë që qëndron mbi ndarjet partiake dhe përfaqëson orientimin euroatlantik të Kosovës.
Kryesia e LDK-së u ka bërë thirrje deputetëve të saj që në procesin e votimit të respektojnë marrëveshjen dhe vendimin e partisë, duke e konsideruar stabilitetin institucional si prioritet.






















