Një ngjarje e rëndë ka tronditur Malin e Zi, ku tre punonjës të një poligoni qitjeje në Danilovgrad u vranë me armë zjarri, ndërsa autori i dyshuar, një shtetas rus, u gjet disa orë më vonë nga policia dhe i dha fund jetës.
Ngjarja ndodhi më 31 gusht në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”, pranë Danilovgradit. Viktimat janë Nemanja Kapor, 20 vjeç, Petar Globarević, 24 vjeç, dhe Momir Radonjić, 67 vjeç, të tre punonjës të poligonit.
Autoritetet malazeze identifikuan si të dyshuar Mihail Šabunjin, 30 vjeç, shtetas i Federatës Ruse.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, 30-vjeçari kishte kryer fillimisht një qitje prove dhe më pas dyshohet se hyri në ambientet e poligonit dhe hapi zjarr ndaj tre punonjësve.
Pas vrasjeve, Šabunjin dyshohet se mori armë dhe municione nga poligoni dhe u largua me një automjet “Seat Cordoba”. Automjeti u gjet më vonë i braktisur, ndërsa kërkimet për kapjen e tij u shtrinë deri në zonën e Herceg Novit.
Policia arriti ta lokalizonte rreth orës 03:35 të mëngjesit të 1 shtatorit, në një zonë pyjore mbi lagjen Topla në Herceg Novi.
Sipas policisë malazeze, pasi u rrethua nga forcat e rendit, Šabunjin hapi zjarr në drejtim të efektivëve dhe më pas qëlloi veten me armë zjarri. Asnjë efektiv policie nuk raportohet i plagosur gjatë operacionit.
Motivi i vrasjes së trefishtë mbetet ende i paqartë dhe autoritetet po hetojnë rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë.
Sipas mediave malazeze, 30-vjeçari kishte qenë edhe më parë në poligonin ku ndodhi krimi. Të dhënat e publikuara tregojnë gjithashtu se ai kishte hyrë dhe dalë disa herë nga Mali i Zi gjatë muajve të fundit.
Pas tragjedisë, Qeveria e Malit të Zi shpalli 1 dhe 2 shtatorin ditë zie, ndërsa në Danilovgrad fillimi i vitit të ri shkollor u shty për më 3 shtator.






















