
Kur në mes të Vlorës ndodh një konflikt me armë, ku përfshihen biznesmenë të njohur, njëri prej tyre me status “investitor strategjik”, pyetja normale do të ishte: ku është policia, ku është prokuroria, kush e lejoi përplasjen dhe pse institucionet heshtën?
Por Edi Rama zgjodhi një tjetër rol. Jo atë të kryeministrit të vendit. As atë të njeriut që duhet të kërkojë llogari nga policia, bashkia, kadastra apo drejtësia. Rama foli si kryeplak fshati. E relativizoi ngjarjen si një sherr banal mes biznesmenësh e investitorësh dhe dha edhe zgjidhjen pastorale: tokën e sherrit do ta marrë vetë dhe do të mbjellë ullinj.
Kaq. Me një batutë për ullinjtë, kryeministri tentoi të mbyllë një histori që në fakt hap shumë më tepër pyetje.
Sepse ky nuk është thjesht një konflikt mes dy privatësh që nuk ranë dakord për një gardh, një kufi prone apo një rrugicë hoteli. Ky është një konflikt që, sipas të dhënave të deritanishme, lidhet me prona, me dokumente shtetërore, me vendime të institucioneve dhe me njerëz që kanë përfituar status, leje, favore apo mbrojtje nga vetë sistemi politik që sot bën sikur çuditet.
Rama nuk tha asnjë fjalë për Bashkinë e Himarës, që në kohën e Jorgo Goros, njeriut të tij politik, ka prodhuar dy AMTP për të njëjtën hapësirë konflikti. Nuk tha asnjë fjalë për mënyrën se si vendimet e pushtetit vendor kanë ushqyer përplasje pronësie në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit.
Nuk tha asnjë fjalë për Kadastrën. Për atë institucion që prej vitesh prodhon, legalizon, zhvendos, përplas dhe shumëfishon konflikte pronësie, shpesh jo nga paaftësia, por nga interesi. Kadastra e qeverisë së tij është kthyer në një fabrikë letrash që shpesh vlen më shumë se ligji, më shumë se prona dhe më shumë se e drejta.
Nuk tha asnjë fjalë as për statusin “investitor strategjik”, që qeveria e tij ia ka dhënë Bujar Muçës. Në vend që të shpjegojë se si një investitor strategjik përfundon i përfshirë në një konflikt me armë në resortin e rivalit, Rama e vendos çështjen në kategorinë e “sherrit banal”.
Nëse ky është “sherr banal”, çfarë duhet të ndodhë që shteti ta marrë seriozisht? A duhet të ketë viktima, plumba në mes të turistëve apo ndjekje me makina që një konflikt me armë në Vlorë të mos relativizohet si grindje mes investitorësh? A duhet drejtësia të flasë për armët, pronën, dokumentet, vendimet e bashkisë, Kadastrën dhe statusin e investitorit strategjik, apo mjafton që kryeministri ta mbyllë çështjen me batutën e ullinjve?
Sepse këtu nuk kemi vetëm dy biznesmenë që u zunë për tokë. Kemi një model ku shteti prodhon dokumente të dyfishta, bashkia vendime të dyshimta, Kadastra konflikte, qeveria “investitorë strategjikë” dhe më pas, kur përplasja del nga zyrat në terren, kryeministri shfaqet si ndërmjetës fshati. Pyetja nuk është nëse toka do të mbillet me ullinj, por nëse drejtësia do të guxojë të shkulë rrënjët e konfliktit, sepse ato nuk janë në tokë. Janë në zyrat e shtetit.





















