
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar për javën e ardhshme në Serbi, duke e lidhur vendimin me mënyrën se si po nderohet në vend Ratko Mlladiç, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Vendimi vjen një ditë pasi eshtrat e Mlladiç u transportuan nga Haga drejt Beogradit me një avion të qeverisë serbe. Arkivoli, i mbuluar me flamurin serb, u prit pas mbërritjes në kryeqytet, ndërsa janë parashikuar ceremoni përkujtimore dhe varrimi i tij të hënën në Beograd.
Kos e bëri publik vendimin përmes një reagimi në platformën X, ku kritikoi ashpër glorifikimin që, sipas saj, po shoqëron vdekjen e Mlladiç.
“Ratko Mlladiç u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Kthimi i eshtrave të tij në Beograd i kujton Evropës faqet më të errëta të historisë sonë të afërt. Lavdërimi dhe glorifikimi që po shoqëron vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt Bashkimit Evropian”, shkroi komisionerja.
Sipas Kos, rruga drejt integrimit evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.
“Vlerat mbi të cilat mbështetet e ardhmja jonë e përbashkët nuk janë të negociueshme. Në këtë kontekst, kam vendosur që, për momentin, të mos e zhvilloj vizitën time të planifikuar në Serbi”, deklaroi ajo.
Vuçiç shpërthen ndaj Marta Kos: Arsyetim budalla
Reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiç ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Ai tha se e kishte parashikuar anulimin e vizitës dhe akuzoi komisioneren evropiane për qëndrime kundër Serbisë.
“Sa herë që ka diçka të keqe për Serbinë, ajo është lajmëtarja dhe nismëtarja e diçkaje të tillë”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb e cilësoi arsyetimin e Kos si “jashtëzakonisht të shkurtër, por budalla”, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se autoritetet në Beograd po glorifikojnë Mlladiçin.
“‘Glorifikimi’ i gjeneralit Ratko Mlladiç, por nuk thotë se kush ka glorifikuar ndonjë gjë”, tha Vuçiç.
Sipas tij, autoritetet serbe nuk mund t'u ndalojnë qytetarëve pjesëmarrjen në ceremonitë mortore dhe as zhvillimin e varrimit të Mlladiç.
Vuçiç i ashpërsoi më tej kritikat ndaj komisioneres, duke deklaruar se Kos nuk mund t'i japë atij leksione se cilët janë kriminelët. Ai akuzoi gjithashtu përfaqësuesit evropianë se nuk e kuptojnë se “sa i ngopur është populli serb me gënjeshtra”.
Përplasja shënon një tjetër tension në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Brukselit, ndërsa mënyra se si Serbia po e trajton figurën e Mlladiç është kthyer tashmë në një çështje që prek drejtpërdrejt perspektivën evropiane të vendit.
Përpara anulimit të vizitës, Marta Kos kishte paralajmëruar se mënyra se si autoritetet serbe do të vepronin pas kthimit të trupit të Mlladiç dhe gjatë ceremonive të varrimit do të përbënte një “test shumë të rëndësishëm” për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.






















