
Një banane në mur, një tualet prej ari dhe Hitleri në gjunjë: Maurizio Cattelan rikthehet me ekspozitën që pritet të hapë debat
Një banane e ngjitur në mur me shirit ngjitës e bëri një nga artistët më të famshëm dhe më të diskutuar të artit bashkëkohor. Por Maurizio Cattelan këmbëngul se, pavarësisht humorit dhe provokimit që shoqëron veprat e tij, puna e tij nuk ka qenë kurrë thjesht një shaka.
Artisti italian po përgatitet për ekspozitën e tij të parë të madhe personale në Gjermani, e cila hapet më 10 shtator në Neue Nationalgalerie në Berlin. Ekspozita quhet “Night” dhe rikthen disa prej veprave që kanë shkaktuar polemika të mëdha gjatë karrierës së tij.
Mes tyre është “Comedian”, banania e ngjitur në mur që u bë një fenomen global. Një nga versionet e veprës u shit në ankand në vitin 2024 për 6.2 milionë dollarë, duke ndezur edhe një herë debatin se çfarë është art dhe kush vendos vlerën e tij.
Cattelan është gjithashtu autori i “America”, një tualet funksional prej ari 18-karatësh. Vepra u instalua fillimisht në Guggenheim Museum në Nju Jork dhe më pas u ekspozua në Blenheim Palace në Britani, ku u vodh në vitin 2019.
Por ndoshta puna e tij më e fortë politikisht mbetet “Him”, skulptura që paraqet Adolf Hitlerin në gjunjë, sikur po lutet. E parë nga pas, figura duket fillimisht si një fëmijë i vogël; vetëm kur vizitori i afrohet kupton identitetin e personazhit. Vepra ka provokuar debate të forta mbi fajin, kujtesën historike dhe mënyrën se si arti duhet të trajtojë figurat e së keqes.
Në ekspozitën e Berlinit do të shfaqet edhe “Purgatory”, një version i zvogëluar i Portës së Brandenburgut, ndërsa historia e qytetit dhe e Gjermanisë bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e dialogut të ekspozitës.

Cattelan thotë se humori në veprat e tij shpesh shërben si një mënyrë për t’i afruar njerëzit me tema shumë më të rënda. Pushteti, feja, vdekja, autoritarizmi, kujtesa dhe nevoja e shoqërisë për të krijuar “fajtorë” janë tema që rikthehen vazhdimisht në punën e tij.
Kuratori Klaus Biesenbach e ka përshkruar qasjen e artistit si një lloj “ekzistencializmi komik”: një art që të bën fillimisht të buzëqeshësh dhe më pas të kuptosh se objekti përpara teje po flet për diçka shumë më të errët.
Pavarësisht se për vite është quajtur “prankster-i” i botës së artit, Cattelan e refuzon këtë përkufizim. Për të, absurditeti nuk e bën një vepër më pak serioze. Përkundrazi, mund të jetë pikërisht mënyra për të detyruar publikun të ndalet dhe të shohë më gjatë.
Ekspozita “Night” do të qëndrojë e hapur në Berlin nga 10 shtatori deri më 7 mars.






















