Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të heqin sanksionet e vendosura ndaj kompanive dhe shtetasve kinezë për lidhjet e tyre të pretenduara me Iranin, duke e cilësuar politikën e Washingtonit si një praktikë të njëanshme që dëmton marrëdhëniet ekonomike dhe sigurinë globale energjetike.
“Qeveria kineze ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e saj të vendosur ndaj sanksioneve të njëanshme që nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare apo autorizim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, deklaroi të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë së Kinës, Huang Ling.
Sipas saj, pavarësisht demarsheve të përsëritura të Pekinit, Shtetet e Bashkuara kanë vijuar të vendosin masa ndëshkuese ndaj kompanive dhe individëve kinezë, për shkak të lidhjeve të pretenduara me Iranin. Pekini shprehu “pakënaqësi të fortë” dhe “kundërshtim të vendosur” ndaj këtyre veprimeve.
Zëdhënësja kineze paralajmëroi se sanksionet amerikane ndërhyjnë në marrëdhëniet normale tregtare dhe ekonomike mes vendeve dhe mund të ndikojnë negativisht në sigurinë globale të energjisë.
Pekini i kërkoi Washingtonit të “korrigjojë menjëherë praktikat e tij të gabuara” dhe të heqë sanksionet ndaj kompanive dhe shtetasve kinezë. Në të njëjtën kohë, Kina paralajmëroi se do të mbrojë “me vendosmëri” të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive dhe qytetarëve të saj.
Në korrik, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione ndaj gjashtë individëve dhe subjekteve në katër vende, përfshirë Kinën, duke i akuzuar për mbështetje ndaj Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe rrjetit të saj kryesor të transportit, Mahan Air.
Masat amerikane janë pjesë e fushatës së Washingtonit për të izoluar Teheranin nga sistemi financiar ndërkombëtar, në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta pas luftës që nisi më 28 shkurt.
Përplasja diplomatike mes Washingtonit dhe Pekinit vjen gjithashtu në një moment delikat për marrëdhëniet SHBA-Kinë. Në horizont është një vizitë e planifikuar reciproke e presidentit kinez Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara, pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Pekin në maj.
Tensionet rreth Iranit dhe sanksioneve amerikane ndaj kompanive kineze pritet të jenë një nga çështjet që mund të ndikojnë në klimën e takimeve të ardhshme mes dy fuqive ekonomike.






















