Biznesmeni maltez Yorgen Fenech është shpallur i pafajshëm për përfshirje në vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia, e cila u vra me bombë në makinë në tetor të vitit 2017.
Sipas The Guardian, vendimi i jurisë ka tronditur Maltën, pasi Fenech akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e gazetares. Ai rrezikonte burgim të përjetshëm, por pas gati shtatë vitesh hetime, paraburgim dhe proces gjyqësor, u lirua nga akuzat.
Caruana Galizia ishte një nga gazetaret më të njohura investigative në Maltë. Përmes blogut të saj “Running Commentary”, ajo kishte denoncuar lidhje të dyshuara mes politikës, biznesit dhe korrupsionit, përfshirë skandalet e lidhura me kontratat energjetike dhe kompanitë offshore të zyrtarëve të lartë.
Në kohën kur u vra, ajo po hetonte një kontratë të madhe qeveritare për ndërtimin e një centrali me gaz, me vlerë rreth 500 milionë euro. Një nga aksionerët e kompanisë së përfshirë në këtë projekt ishte pikërisht Yorgen Fenech.
Tre persona të akuzuar si ekzekutorë të atentatit u arrestuan pak javë pas vrasjes. Dy prej tyre u dënuan me burgim të përjetshëm pasi pranuan fajësinë, ndërsa i treti mori dënim më të ulët në këmbim të dëshmisë.
Por pas vendimit për Fenech, mbetet sërish e hapur pyetja kryesore: kush e porositi vrasjen e Daphne Caruana Galizia?
Familja e gazetares e ka cilësuar vendimin si “drejtësi të mohuar”, ndërsa opozita në Maltë ka kërkuar thirrjen urgjente të parlamentit dhe forcimin e masave për mbrojtjen e gazetarëve dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas Guardian, procesi nxori në pah edhe dyshime serioze për rrjedhje informacioni dhe tentativa për sabotimin e hetimit, përfshirë pretendime se detaje të ndjeshme të dosjes i kalonin personave të dyshuar nga nivele të larta politike.
Prokuroria e Përgjithshme në Maltë po shqyrton mundësinë e apelimit dhe kërkimit të një rigjykimi.






















