Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, i cili parashikon heqjen e imunitetit të presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë për veprat penale që lidhen me korrupsionin.
Propozimi i paraqitur nga Qeveria mori mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Zëvendëskryeministri Momo Koprivica deklaroi gjatë debatit parlamentar se ndryshimi synon të garantojë që asnjë funksion në pushtetin ekzekutiv të mos shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë penale për veprat me elementë korrupsioni.
Sipas tij, ndryshimi kushtetues do të kufizojë jo vetëm qeverinë aktuale, por edhe çdo qeveri të ardhshme.
“Një shtet nuk mund të ketë standarde të dyfishta, një për qytetarët dhe një tjetër për zyrtarët”, theksoi Koprivica.
Ndryshimi prek nenin 86, pika 4, të Kushtetutës së Malit të Zi. Nga mbrojtja e imunitetit përjashtohen veprat penale kundër detyrës zyrtare, të cilat konsiderohen ndër format kryesore të korrupsionit.





















