Lifestyle 4 September 2026, 15:08 Nga VNA

Rekord në mjekësi/ Veshka e derrit funksionon 271 ditë në trupin e një njeriu, shkencëtarët shohin shpresë për transplantet

Ndaje në Whatsapp

2222.webp

Një veshkë e transplantuar nga një derr i modifikuar gjenetikisht ka funksionuar për 271 ditë në trupin e një pacienti amerikan, duke vendosur një rekord të ri për kohëzgjatjen e funksionimit të një organi të tillë te njeriu.

Tim Andrews, i cili vuante nga sëmundja e veshkave në fazën përfundimtare, tha se transplanti i dha “shpresë” dhe e çliroi për disa muaj nga dializa, procedura përmes së cilës gjaku filtrohet me ndihmën e një makinerie.

Andrews iu nënshtrua transplantit më 25 janar 2025, kur ishte 66 vjeç. Veshka e derrit nisi të funksiononte menjëherë pas ndërhyrjes dhe vazhdoi të punonte për 271 ditë, deri në tetor të të njëjtit vit, kur mjekët vendosën ta hiqnin.

Pas heqjes së organit, pacienti iu rikthye dializës për 82 ditë, deri në janar, kur u gjet një dhurues njerëzor. Veshka e transplantuar nga ky dhurues raportohet se po funksionon mirë.

Rasti konsiderohet nga mjekët një hap i rëndësishëm për zhvillimin e ksenotransplantimit, proces që synon përdorimin e organeve të kafshëve për transplantim te njerëzit.

Studiuesit shpresojnë se në të ardhmen organe të tilla mund të shërbejnë si një “urë” për pacientët që presin një organ njerëzor, duke reduktuar kohën që ata detyrohen të kalojnë në dializë.

Mjekët në Mass General Brigham thonë se mungesa e organeve për transplantim ka krijuar një krizë serioze. Ksenotransplantimi mund të shndërrohet në një alternativë për pacientët që nuk kanë një dhurues të gjallë dhe që përballen me pritje shumëvjeçare.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, rreth 100 mijë persona presin një transplant veshke, ndërsa çdo vit realizohen vetëm rreth 25 mijë transplante. Në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 7 mijë persona ndodhen në listën e pritjes.

Andrews ishte informuar se mund t'i duhej të priste rreth shtatë vjet për të arritur në krye të listës së transplantit, ndërkohë që jetëgjatësia mesatare e pacientëve që qëndrojnë në dializë është rreth pesë vjet.

“Kisha pak mungesë kohe… bëhet shumë depresive”, tha Andrews, duke e përshkruar transplantin nga derri si “shpresë” dhe një “dritë në fund të tunelit”.

“Shpresa është gjëja më e madhe, shansi për t'u çliruar nga makina e dializës dhe për të jetuar jetën tënde”, u shpreh ai.

Pse përdoren organet e derrave?
Derrat konsiderohen ndër kafshët më të përshtatshme për ksenotransplantim, pasi organet e tyre kanë përmasa të ngjashme me ato të njerëzve dhe ekziston një përvojë e gjatë në mbarështimin e tyre.

Megjithatë, një organ i zakonshëm derri nuk mund të transplantohet drejtpërdrejt te njeriu, pasi sistemi imunitar do ta identifikonte atë si të huaj dhe do të shkaktonte një reagim të fuqishëm refuzimi.

Për të kapërcyer këtë pengesë, shkencëtarët kanë zhvilluar derra miniaturë të Jukatanit të modifikuar gjenetikisht. Derri nga i cili u mor veshka e transplantuar te Andrews kishte pësuar 69 modifikime gjenomike.

Ndryshimet synojnë të eliminojnë disa karakteristika të qelizave të derrit që provokojnë reagimin e sistemit imunitar njerëzor, të shtojnë ADN njerëzore për ta bërë organin më të pranueshëm nga organizmi dhe të çaktivizojnë viruse të caktuara të pranishme në ADN-në e derrit.

Megjithatë, veshka e transplantuar te Andrews nuk funksionoi përgjithmonë. Gjatë muajve të parë u shfaqën shenja refuzimi nga sistemi imunitar, të cilat u trajtuan me sukses përmes ndryshimit të medikamenteve.

Pas rreth gjashtë muajsh, enët e gjakut të veshkës nisën të dëmtoheshin. Organi u inflamua dhe gradualisht filloi të humbiste funksionin, duke detyruar mjekët ta hiqnin.

Shkaku i saktë i dëmtimit mbetet ende i paqartë, pasi analizat nuk evidentuan shenja të antitrupave që sulmonin drejtpërdrejt veshkën e derrit.

Pavarësisht përfundimit të eksperimentit pas 271 ditësh, rasti konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për të përdorur organet e kafshëve si një zgjidhje të mundshme ndaj mungesës globale të organeve për transplantim.

Video

Gjobëvënie apo konflikt pronësie? Dy versionet për përplasjen mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajt.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar një projektligj që parashikon ndërprerjen e një pjese të financimeve federale për universitetet dhe kolegjet amerikane që marrin pjesë në bojkotime tregtare kundër Izraelit ose pengojnë programe dhe shkëmbime akademike me vendin. Projektligji, i quajtur “Protect Economic and Academic Freedom Act”, u miratua me 237 vota pro dhe 169 kundër. Për të votuan 33 demokratë, ndërsa vetëm dy republikanë votuan kundër. Tashmë ai kalon për shqyrtim në Senat. (Reuters⁠) Nëse miratohet edhe nga Senati, projektligji duhet të marrë firmën e Presidentit Donald Trump për t’u kthyer në ligj.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar një projektligj që parashikon ndërprerjen e një pjese të financimeve federale për universitetet dhe kolegjet amerikane që marrin pjesë në bojkotime tregtare kundër Izraelit ose pengojnë programe dhe shkëmbime akademike me vendin. Projektligji, i quajtur “Protect Economic and Academic Freedom Act”, u miratua me 237 vota pro dhe 169 kundër. Për të votuan 33 demokratë, ndërsa vetëm dy republikanë votuan kundër. Tashmë ai kalon për shqyrtim në Senat. (Reuters⁠) Nëse miratohet edhe nga Senati, projektligji duhet të marrë firmën e Presidentit Donald Trump për t’u kthyer në ligj.

Protestuesit e kanë nisur ditën e 97-të të revoltës duke u mbledhur përpara Gjykatës Penale të Tiranës, në mbështetje të personave të arrestuar pas tensioneve të së martës para Kryeministrisë. Për të arrestuarit pritet të caktohet sot masa e sigurisë, ndërsa protestuesit kërkojnë lirimin e tyre. Ata kishin paralajmëruar një ditë më parë se do të zhvendoseshin para gjykatës për të kundërshtuar mbajtjen e tyre në qeli.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme