Deklarata e fundit e Ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, pas përplasjes për bllokimin e pagave të magjistratëve nga Thesari i Shtetit dhe vendimeve të marra nga KLGJ e KLP, kërkon ta paraqesë krizën aktuale si një thjesht “boshllëk teknik ligjor” që pritet të zgjidhet nga Kuvendi.
Mirëpo, prapa pretendimit se po kërkohet “mbrojtja e parasë publike” dhe autorizimi ligjor, fshihet një shmangie e drejtpërdrejtë nga thelbi i problemit.
Faktet e dokumentuara dhe e ecuria e nismës ligjore tregojnë një prapaskenë krejt ndryshe nga narrativa zyrtare:
1. Shkelja e afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese
Më 31 korrik, ditën kur Kuvendi mbylli punimet e sesionit parlamentar, u depozitua projektligji nga mazhoranca. Gjykata Kushtetuese e kishte përcaktuar datën 31 korrik si afatin e fundit për miratimin dhe hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor, jo si ditën për të depozituar në mënyrë procedurale një projektakt.
Depozitimi në ditën e fundit të punimeve nuk ishte gjë tjetër veçse një manovër për të krijuar artificialisht “vakumin ligjor” që po përdoret sot si shkak për të bllokuar pagat.
2. Rritja me 0.02%: Mohimi i vendimit të Kushtetueses
Përtej vonesave procedurale, përmbajtja e projektligjit të depozituar nga mazhoranca zbulon thelbin e qëndrimit ndaj pushtetit gjyqësor. Ndërsa Gjykata Kushtetuese kërkoi një rregullim të drejtë dhe indeksim real të pagave të magjistratëve në përputhje me zhvillimin ekonomik, projektligji i propozuar parashikon një rritje prej vetëm 0.02%.
Kjo rritje nuk përputhet me frymën e vendimit të Kushtetueses dhe as me llogaritjet financiare mbi të cilat mbështetën vendimet e tyre organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, KLGJ dhe KLP.
Lidhja me Relacionin e Deputetëve Bylykbashi e Kadeli
Në relacionin shpjegues të depozituar nga deputetët nismëtarë të PS-së, argumentimi i përdorur për mbajtjen e rritjes në nivelin 0.02% bazohet mbi “balancën buxhetore” dhe “mosprizimin e hierarkisë së pagave në sektorin publik”.
Megjithatë, pikërisht ky relacion konfirmon vrullin e ekzekutivit për të cenuar garantimin kushtetues të autonomisë financiare të magjistratëve. Në vend që të zbatohet vendimi i Kushtetueses sipas frymës së tij për mbajtjen e statusit të gjyqtarëve e prokurorëve, relacioni përdor terma teknikë për të arsyetuar atë që në thelb është një rritje fiktive.
Shmangia e ministrit nga shifrat reale, rritja 0.02%, dhe përqendrimi i debatit te “vullneti i Kuvendit për të mbushur vakumin”, vullnet që Qartazi mungoi në kohën e duhur, dëshmon se përplasja nuk është për procedura administrative, por për përpjekjen e pushtetit ekzekutiv për të mbajtur nën trysni financiare pushtetin e drejtësisë.





















