Ilir Alimehmeti duket se nuk është dorëzuar ende nga ëndrra për të qenë kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës. Edhe pse një herë e ka provuar procesin e famshëm të primareve, ku në fund gara përfundoi te Belind Këlliçi, Alimehmeti vijon të flasë sikur dera është ende hapur dhe sikur vendimi politik nuk është marrë gjithmonë diku tjetër.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme vendore, Alimehmeti tha se PD dhe aleatët do të diskutojnë për modelin me të cilin do t’i qasen garës, qoftë me primare, seleksionim apo komision. Madje shtoi se ai vetë do të futet në këtë proces, ndërsa vendimi “mbetet për t’u parë”.
Në përkthim politik, kjo do të thotë se Alimehmeti është gati të hyjë sërish në një garë ku rregullat i shkruan Berisha, arbitrin e cakton Berisha dhe kandidatin, në fund, e bekon po Berisha.
Në vitin 2022, Alimehmeti ishte pjesë e primareve për Tiranën, por pas balotazhit të paralajmëruar u tërhoq, duke i hapur rrugën Belind Këlliçit. Tani, tre vite më vonë, duket se është rikthyer në të njëjtën pikë: duke pritur sinjalin nga selia dhe duke shpresuar se këtë herë Berisha do ta shohë ndryshe.





















