Himara u përball me një situatë të rëndë nga zjarret, por në rrëfimin zyrtar të ministres Erjona Ismaili, heronjtë e vërtetë nuk duket se janë banorët që ruajtën shtëpitë, as zjarrfikësit që u përballën realisht me flakët. Në qendër të skenës dolën ministrat, prefekti dhe kryetari i Bashkisë.
Në një status në Facebook, ministrja Ismaili shkruan se “ministrat, Prefekti i Qarkut Vlorë, Kryetari i Bashkisë, strukturat zjarrfikëse dhe forcat e tjera të angazhuara ndodhen në terren dhe kanë luftuar gjatë gjithë natës për kufizimin e flakëve dhe mbrojtjen e jetës, banesave e pronës së qytetarëve”.
Fjalia është aq e ngarkuar me patos sa duket sikur Himara nuk është përballur me një emergjencë civile, por me një epope qeveritare, ku ministrat zbresin në front, përballen me flakët dhe presin zbardhjen e ditës për të nisur fazën tjetër të betejës.
Në një vend normal, në një situatë të tillë, vëmendja do të ishte te banorët e rrezikuar, te zjarrfikësit, te mungesa apo prania e mjeteve, te koordinimi i emergjencave, te ndërhyrjet nga ajri, te dëmet dhe te përgjegjësitë. Por në Shqipërinë e propagandës, edhe zjarri kthehet në sfond për fotografi politike.
Më problematike është se kjo gjuhë nuk vjen nga ndonjë faqe anonime militantësh, por nga një ministre e qeverisë. Në vend që të japë informacion të qartë, të matur dhe institucional, Ismaili zgjedh të ndërtojë një narrativë heroike, ku ministrat dalin para atyre që realisht mbajnë peshën e emergjencës.
Zjarret nuk janë skenë për të prodhuar lavdi politike. Janë ngjarje që rrezikojnë jetë, prona, pyje, fshatra dhe ekonomi familjare. Prandaj tragjizmi i Himarës nuk e meriton amatorizmin e një statusi ku ministrat futen në rreshtin e parë të “luftës”, ndërsa qytetarët dhe zjarrfikësit mbeten pjesë e dekorit.
Me këtë ritëm, në statusin e ardhshëm mund të presim edhe dekorimin zyrtar të kabinetit si “heronj të frontit të zjarrit”, me medalje nga Rama dhe me Himarën në sfond. Sepse në këtë qeveri, edhe kur digjet vendi, kujdesi i parë duket se është të mos piqet propaganda.





















