
Është zbardhur dëshmia e efektivit të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Rexhep Sinaj, lidhur me incidentin e ndodhur më 7 gusht 2026 në paraburgimin nr. 313 në Tiranë, ku ai pretendon se është sulmuar nga Nuredin Dumani.
Sipas dëshmisë së dhënë për ngjarjen, Sinaj ka treguar se paraditen e 7 gushtit po shkonte për të marrë shërbimin në sektorin “C”, në katin e dytë të paraburgimit. Teksa ngjiste shkallët me një qese ushqimesh në duar, ai thotë se në korridor është përballur me Dumanin.
“…në duar po mbaja një qese me ushqime dhe, teksa po ngjisja shkallët drejt katit të dytë, në korridor ka dalë Nuredin Dumani dhe më ka goditur me një kovë uji, duke më lagur të gjithin. Në këtë moment më kanë rënë nga duart edhe ushqimet. Ndërsa Dumani më ka qëlluar edhe me grusht, duke më çarë në pjesën e hundës…”, ka dëshmuar efektivi.
Pas incidentit, Sinaj i është nënshtruar një ekzaminimi pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Në dëshminë e tij, efektivi, me origjinë nga Tepelena, ka treguar gjithashtu se përplasjet me Dumanin nuk kishin nisur atë ditë. Sipas tij, gjatë shërbimit ishte përballur herë pas here me ofendime të rënda nga Dumani ndaj tij dhe familjes së tij, por pretendon se nuk i ishte përgjigjur asnjëherë me ofendime.
Sinaj ka deklaruar se pas goditjes Dumani është larguar drejt dhomës nr. 1, në katin e dytë të sektorit “C”.
Ngjarja rezulton të jetë regjistruar edhe nga kamerat e brendshme të sigurisë së paraburgimit. Sipas të dhënave, pamjet tregojnë Dumanin, të veshur me pantallona të shkurtra dhe të qethur zero, teksa godet me kovën me ujë efektivin.
Në korridor shihen më pas uji dhe ushqimet e shpërndara në dysheme, ndërsa në vendngjarje afrohen punonjës të policisë dhe disa të paraburgosur. Pas qetësimit të situatës, dyert e sektorit “C” mbyllen.
Dëshmitarë të incidentit kanë qenë edhe dy punonjësit e policisë Edmond Gjiriti dhe Kujtim Balliu. Të dy janë marrë në pyetje nga Policia e Burgjeve dhe kanë dhënë versionin e tyre për atë që ndodhi më 7 gusht.
Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike, Nuredin Dumani nuk është marrë në pyetje për këtë incident.
Dumani, i arrestuar më 29 mars 2022, është një nga bashkëpunëtorët e drejtësisë të përdorur nga SPAK në disa dosje të rëndësishme të krimit të organizuar. Më herët është raportuar gjithashtu për një konflikt fizik mes tij dhe një tjetër të penduari të drejtësisë, Amarildo Nikolli.
Dëshmitë e Dumanit janë pjesë e disa procedimeve të SPAK, përfshirë dosjen “Plumbi i artë”, si dhe çështjet që lidhen me Suel Çelën, Behar Bajrin, vëllezërit Çopja dhe persona të tjerë të hetuar për krim të organizuar.
Paralelisht me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani është edhe i pandehur. SPAK e akuzon për tetë vrasje, tentativa vrasjeje, sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve, grabitje me dhunë dhe armë, si dhe grup të strukturuar kriminal.
Ngjarja në paraburgimin “313” bëhet publike në një moment kur dosja “Plumbi i artë” po shkon drejt fazës përfundimtare, me prokurorinë që pritet të paraqesë pretencën dhe kërkesat për dënimin e të pandehurve.






















