
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka zbardhur arsyetimin e vendimit me të cilin la në paraburgim, për qëllime ekstradimi, shtetasen turke Julide Yazici, e njohur për aktivizimin e saj publik kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan.
32-vjeçarja, e cila prej disa vitesh gëzonte statusin e azilantes në Francë, u arrestua në aeroportin e Rinasit më 5 gusht, pasi rezultonte e kërkuar nga autoritetet turke.
Yazici është dënuar në Turqi me 4 vjet e 2 muaj burg nga dy shkallë të gjyqësorit për akuzat e “dhënies së ndihmës logjistike për organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrjes në organizatë terroriste”.
Në qendër të argumentimit të Apelit për mbajtjen e saj në paraburgim qëndron rreziku që 32-vjeçarja t’i shmanget procedurës së ekstradimit nëse lihet e lirë.
Sipas gjykatës, ekziston një rrezik real largimi, ndërsa nga aktet rezulton se Yazici ka pasur dijeni për procedimin penal të zhvilluar ndaj saj në Turqi.
“Nëse gjatë fazës së hetimit apo gjykimit rreziku lidhet me shmangien nga hetimi ose gjykimi, në rastin konkret rreziku aktual lidhet me shmangien nga procedura e ekstradimit dhe nga dorëzimi tek autoritetet e shtetit kërkues për ekzekutimin e dënimit”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Apeli ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës me “arrest në shtëpi”, duke argumentuar se kjo masë nuk garanton një mbikëqyrje efektive dhe nuk eliminon rrezikun e largimit.
Nga ana tjetër, Yazici ka kundërshtuar ekstradimin drejt Turqisë. Përpara Apelit, ajo pretendoi se kthimi në vendin e saj do ta ekspozonte ndaj persekutimit, diskriminimit dhe trajtimit të padrejtë për shkak të bindjeve politike dhe pjesëmarrjes në protesta kundër qeverisë së Erdogan.
32-vjeçarja ka pretenduar gjithashtu se nuk kishte pasur dijeni për vendimin e fajësisë të dhënë ndaj saj nga drejtësia turke.






















