Opozita ka ndërmarrë një hap zyrtar në Kuvendin e Shqipërisë pas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj. Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, 39 deputetë të opozitës (nga Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike) kanë kërkuar zyrtarisht ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për trafikun ndërkombëtar të armëve.
Nisma vjen si mbështetje direkte e aksionit politik të Ilir Metës (nga burgu) dhe Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë drejtuar nga Tedi Blushi i cili doli ne konference shtzpi, duke marrë si shkas qëndrimet dhe materialet e publikuara nga Arben Ahmetaj.
Hetim mbi deklaratat e Ahmetajt
Kërkesa e opozitës vjen si reagim i menjëhershëm ndaj zhvillimeve më të fundit. Siç citohet në dokumentin zyrtar:
"Shkaku konkret dhe i drejtpërdrejtë për vënien në lëvizje të këtij hetimi parlamentar përbëhet nga deklarimet dhe materialet audio të bëra publike më 7 shtator 2026 nga z. Arben Ahmetaj."
Sipas deputetëve nënshkrues, synimi i këtij komisioni nuk është vendosja e përgjegjësive penale, por verifikimi institucional:
"Objekti i Komisionit nuk është të marrë të mirëqena akuzat e bëra publike, por t’i verifikojë ato nëpërmjet dokumenteve, dëshmive, të dhënave zyrtare dhe kontrollit të veprimtarisë së institucioneve shtetërore."
Kush do të thirret për dëshmi dhe hetim?
Objekti i hetimit mbulon periudhën nga 1 janar 2024 deri më 7 shtator 2026. Në listën e personave që pritet të thirren për të dëshmuar ose për të dhënë informacion përfshihen zyrtarët më të lartë të shtetit, përfshirë vetë Ahmetajn:
Edi Rama (Kryeministër)
Ermal Nufi (Ministër i Mbrojtjes)
Gjeneral Lejtnant Arben Voke Kingji (Shef i Shtabit të Përgjithshëm)
Vlora Hyseni (Drejtoresha e SHISH)
Skënder Hita (Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit)
Ardi Veliu (Drejtor i Përgjithshëm i KAYO)
Arben Ahmetaj, "si personi që ka bërë publike materialet dhe pretendimet".
Verifikimi i Audio-përgjimeve
Në dokument theksohet se Komisioni Hetimor do të administrojë të gjitha materialet audio dhe do të kërkojë verifikimin e:
"...origjinës së materialeve; datës dhe rrethanave të regjistrimit; integritetit teknik të regjistrimeve; identitetit të personave që rezultojnë në regjistrime; përputhshmërisë së përmbajtjes së regjistrimeve me dokumentet zyrtare..."
Opozita e mbyll kërkesën duke nëvizuar se “pretendimet dhe materialet e bëra publike më 7 shtator 2026 kanë ngritur një çështje me rëndësi të veçantë publike dhe shtetërore lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit të shtetit shqiptar mbi qarkullimin ndërkombëtar të armëve”, duke kërkuar nga mazhoranca miratimin e menjëhershëm të këtij komisioni hetimor.



















