Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në Syri TV disa audiopërgjime, të cilat sipas tij lidhen me një skemë të dyshuar për marrjen e aseteve strategjike në Shqipëri, përfshirë gazin e Delvinës, TEC-in e Vlorës dhe industrinë e armëve. Në qendër të akuzave të Ahmetajt është Ron Yefet, të cilin ai e përmend si person të lidhur me interesa ekonomike dhe projekte strategjike në vend.
Duhet theksuar se audiopërgjimet e transmetuara nuk dëgjohen qartë nga publiku dhe zbardhja e përmbajtjes së tyre është bërë nga vetë Ahmetaj gjatë intervistës. Për këtë arsye, pretendimet mbeten në nivel denoncimi publik dhe kërkojnë verifikim të mëtejshëm nga institucionet përkatëse.
Sipas Ahmetajt, një nga audiot lidhet me Ron Yefet dhe dy persona të tjerë, njëri ukrainishtfolës dhe tjetri rusishtfolës. Ai pretendon se biseda ka të bëjë me atë që e cilëson si tentativë për “grabitjen e Delvinës”, përmes një modeli që e krahason me konceptin e KAYO-s: krijimi i një kompanie shtetërore dhe më pas futja në partneritet me privatë, ku sipas tij shteti mbetet me pjesë minimale, ndërsa asetet dhe paratë publike kalojnë te kompani të lidhura me interesa private.
Në intervistë, Ahmetaj hodhi akuza edhe për Timak Defense dhe për industrinë ushtarake, duke pretenduar se bëhet fjalë për trafik ndërkombëtar armësh, jashtë kuadrit të marrëveshjeve zyrtare të NATO-s me Ukrainën. Sipas tij, armë nga vendet e Afrikës “paketohen në Shqipëri” dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit.
Ahmetaj përmendi gjithashtu një skemë që, sipas tij, synonte krijimin e një kompanie apo strukture “mburojë” dhe përdorimin e një trusti në SHBA për të shmangur vëmendjen e ambasadës amerikane. Ai e lidhi këtë me Delvinën, TEC-in e Vlorës dhe pasuritë publike, duke kërkuar që institucionet të hetojnë mënyrën se si po jepen asetet strategjike dhe kontratat pa garë.
Por edhe këtë herë, krahas akuzave ndaj qeverisë dhe personave që ai përmend në intervistë, Ahmetaj vijoi të paraqitet si viktimë e një sulmi politik ndaj tij dhe familjes. Ai foli për presion, përndjekje dhe rrezik personal, ndërsa u shpreh se çuarja e tij në burg do të mund të përfundonte me eliminimin e tij fizik.
Kjo linjë vetëmbrojtjeje vjen në një kohë kur Ahmetaj vetë është nën akuzë nga SPAK dhe ndodhet jashtë Shqipërisë, në Zvicër. Ndaj tij rëndojnë akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë, në dosjen e inceneratorëve.




















