
Paolo Zampolli, i Dërguari Special për Partneritetet Globale i administratës amerikane, ka mbërritur në Tiranë, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të ndryshëm.
Mësohet se gjatë qëndrimit në Tiranë, i dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump është pritur edhe nga kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Mondi.
Në fokus të bisedës mes Zampollit dhe Baba Mondit kanë qenë disa çështje, ndërsa mes tyre është diskutuar edhe nisma për krijimin e shtetit Bektashi. Ky projekt është bërë pjesë e debatit publik që prej prezantimit të idesë për krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë.
Vizita e Zampollit në Shqipëri vjen gjithashtu në një ditë simbolike për komunitetin bektashian. Kryegjyshata Botërore Bektashiane ka shënuar 35-vjetorin e rihapjes së selisë së saj pas rënies së regjimit komunist, periudhë gjatë së cilës aktiviteti fetar në Shqipëri ishte ndaluar.
Takimi me Baba Mondin nuk ka qenë i vetmi në axhendën e të dërguarit amerikan gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Pas vizitës në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Zampolli ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të politikës shqiptare. Ai është takuar me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, si dhe me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Vizita dhe takimet e Zampollit në Tiranë vijnë në kuadër të rolit të tij si i Dërguar Special për Partneritetet Globale në administratën amerikane.




















