
Meqë kryebashkiaku i Tiranës ka marrë vulën me vete në qeli dhe që andej po i "heq pluhurin" e plehrat kryeqytetit, siç kujdeset të informojë makineria e tij e propagandës, realiteti në terren për mijëra familje është krejt ndryshe.
Shtatori solli sërish nisjen e vitit të ri në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës, por krah për krah me klasat e tejmbushura tej çdo kapaciteti normativ, prindërit po përballen me një faturë financiare të padukshme, por të rëndë për xhepat e tyre.
Ujë me koli për ditët e nxehta
Në këto ditë ku temperaturat vijojnë të jenë të larta, nevojat më minimale sanitare po mbulohen drejtpërdrejt nga vetë familjet. Prindërit po blejnë vetë me koli ujin e pijshëm për fëmijët, pasi furnizimi bazë në këto institucione ose mungon, ose nuk garanton siguri.
Por "kërkesat" nuk stopohen te uji. Drejtuesit e kopshteve dhe çerdheve, duke u kujdesur që të mos lënë asnjë shenjë apo gjurmë në kanalet zyrtare të komunikimit, u kërkojnë prindërve të kryejnë investime që do të duhej të mbuloheshin nga buxheti i bashkisë.
Burime për VNA bëjnë me dije se në shumë kopshte e çerdhe, prindërit po bashkojnë paratë nga xhepi i tyre për të blerë:
Pajisje ngrohjeje dhe ftohjeje (kondicionerë apo ngrohëse),
Perde për dritaret,
Tapete dhe dollapë për ambientet e fëmijëve.
Listat "sekrete" me shkrim dore: Nga sapuni te plastelina
Sigurisht që këtij fillim shtatori nuk mund t'i mungonte lista jo-formale e materialeve higjienike. Prindërve u kërkohet të sjellin rregullisht letra të lagura, sapunë, letër higjienike, gota plastike, karropeceta, si dhe detergjentë të ndryshëm për pastrimin e ambienteve.
Ajo që bie sy këtë vit është strategjia e re për mjetet didaktike. Nën orientimin e drejtoreshave, edukatoret po u shpërndajnë prindërve lista të shkruara me dorë – një mënyrë për të shmangur çdo dokument zyrtar apo provë administrative. Këto lista përmbajnë gjithçka që nga bojërat e ujit, letrat me ngjyra, kolorët, plastelina, e deri te librat me përralla.
Arsim "gratis" vetëm në deklarata
Ndërsa në letrat zyrtare ky quhet arsim publik dhe i financuar nga taksat e qytetarëve të Tiranës, në praktikë funksionon si një skemë ku prindërit financojnë funksionimin e kopshteve.
Ndoshta dikush nga bashkëpunëtorët që e viziton në qeli duhet ta informojë Erion Veliajn se, përpara se të merret me fasadën e pastrimit të kanaleve e rrugëve për konsum mediatik, duhet të kthejë sytë nga kopshtet e çerdhet e kryeqytetit dhe të furnizojë ambientet e fëmijëve, pa vazhduar me rrjepjen e prindërve të Tiranës.






















