
Dëgjesat publike për Reformën e re Administrative-Territoriale në Qarkun e Elbasanit janë përballur me një pjesëmarrje minimale të qytetarëve. Takimet e parashikuara në Belsh, Cërrik dhe Prrenjas kanë gjetur salla thuajse bosh, pavarësisht kalendarëve të publikuar nga pushteti vendor.
Situata ngre pikëpyetje mbi nivelin e informimit të komuniteteve dhe efektivitetin e procesit të konsultimit për një reformë që prek drejtpërdrejt organizimin e pushtetit vendor, taksat dhe ofrimin e shërbimeve publike.
Projektligji i hartuar nga mazhoranca socialiste parashikon ndryshime të rëndësishme në hartën administrative të Qarkut të Elbasanit. Sipas propozimit, bashkitë Belsh dhe Cërrik pritet të shkrihen dhe t’i bashkohen Bashkisë së Elbasanit, ndërsa Bashkia e Prrenjasit parashikohet të bashkohet me Bashkinë e Librazhdit.
Propozimet kanë shkaktuar më herët reagime dhe protesta në Cërrik dhe Prrenjas, ku banorë të zonave kanë kundërshtuar humbjen e statusit si bashki më vete dhe reduktimin e autonomisë vendore.
Në Belsh, Këshilli Bashkiak kishte parashikuar pesë dëgjesa publike, si në qytet ashtu edhe në njësitë administrative Kajan, Grekan, Fierzë dhe Rrasë. Megjithëse kalendari ishte njoftuar që prej 10 gushtit, pjesëmarrja e ulët bëri që takimet të mos prodhonin një debat të mirëfilltë publik.
Situata nuk paraqitet ndryshe as në Prrenjas, ku janë zhvilluar vetëm dy takime me pjesëmarrje të kufizuar, ndonëse bashkia është një prej njësive që preket drejtpërdrejt nga ndryshimet e propozuara.
Në këto kushte, konsultimi publik në bashkitë që rrezikojnë të shkrihen ka marrë më shumë karakter formal sesa një debat real me komunitetin.
Pas pjesëmarrjes së dobët, Këshilli Bashkiak i Belshit pritet të miratojë një kalendar të dytë dëgjesash, në përpjekje për të përfshirë qytetarët përpara se institucionet vendore t'i përcjellin Tiranës qëndrimin e tyre zyrtar.
Mbetet për t’u parë nëse raundi i dytë do të arrijë të zgjojë interesin e qytetarëve, apo Reforma e re Territoriale do të ecë përpara me një proces konsultimi që, të paktën në fazën e parë, u karakterizua nga sallat bosh.






















