
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar këtë të shtunë drejt Cernobbios në Itali, ku mes batutave nuk ka humbur rastin t’i japë edhe disa këshilla Europës se si duhet të përballet me problemet e saj.
Në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, Rama foli për autonominë strategjike të kontinentit, duke i kujtuar Europës se për lëndët e para kritike i duhet edhe Ballkani Perëndimor. Në tavolinë vendosi edhe “ofertën” shqiptare.
“Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Europa të vijë”, deklaroi Rama, duke kërkuar më shumë investime europiane.
Nga bakri, kryeministri kaloi te Rusia dhe territori i tij i preferuar, batutat.
“Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Europa të vijë”, tha Rama, duke shtuar me humor se shqiptarët janë “talebanët perëndimorë”, pasi vendi nuk ka marrëdhënie me Rusinë.
Por nga Italia, Rama kishte edhe një recetë për mënyrën se si Europa duhet të sillet me Serbinë.
Duke folur për integrimin gradual, kryeministri iu referua vendimit që Ratko Mladiç, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid, të përcillet me homazhe shtetërore. Ndërsa Bashkimi Europian e ka parë një zhvillim të tillë si hap pas në rrugën europiane të Serbisë, Rama e lexoi ndryshe. Sipas tij, pikërisht raste të tilla tregojnë pse Beogradi duhet mbajtur në tryezën europiane.
Këshillat nuk përfunduan me Serbinë. Rama kishte edhe një diagnozë për vetë BE-në: nëse Shqipëria duhet të hyjë në Union, atëherë duhet të ndryshojë edhe mënyra se si funksionon vetë Europa.
“Unë nuk besoj se do të ketë ndonjëherë vend për ne në BE nëse diçka nuk do të ndryshojë në BE”, deklaroi ai.
Kështu, nga Italia, Rama bëri atë që tashmë e ka kthyer në rutinë në daljet ndërkombëtare: batuta për sallën, këshilla për Europën, një recetë për Serbinë dhe, këtë herë, edhe bakër shqiptar për autonominë strategjike të kontinentit.





















