
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për sulmet ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por duket se ndan me kreun e qeverisë të njëjtin konstatim për një pikë, Reforma në Drejtësi ka dështuar.
Ndryshimi mes dy qëndrimeve qëndron te përgjegjësia për këtë dështim. Ndërsa Rama e drejtoi gishtin nga KLGJ dhe KLP, duke i cilësuar si “fytyra e dështimit” të reformës, Bardhi ia faturon përgjegjësinë vetë kryeministrit dhe përpjekjes së tij, sipas demokratit, për të kontrolluar pushtetin gjyqësor.
Tre ditë më parë, gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama sulmoi KLGJ-në dhe KLP-në, mes të tjerash edhe për çështjen e pagave të anëtarëve të këtyre institucioneve.
Duke reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit, Bardhi vëren se Rama, sipas tij, pranoi për herë të parë dështimin e Reformës në Drejtësi, por shmangu përgjegjësinë për arsyet që kanë çuar në këtë situatë.
“Edi Rama, për herë të parë, foli për dështimin e Reformës në Drejtësi. Por, si gjithmonë, refuzoi të flasë për përgjegjësinë e këtij dështimi dhe për arsyet që e kanë sjellë atë. Për këtë dështim ka një përgjegjës dhe ka një arsye të qartë: vullneti i Edi Ramës për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe pushtetin gjyqësor”, deklaroi Bardhi.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, përtej përplasjes politike dhe institucionale, problemi kryesor mbetet mungesa e drejtësisë në kohë për qytetarët shqiptarë.
“Është evidente se shqetësimi i qytetarëve nuk është se çfarë mendon Edi Rama për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Shqetësimi real i shqiptarëve është se drejtësia nuk po jepet në kohë. Qytetarët presin me vite për një vendim, për një të drejtë, për një përgjigje”, shprehet Bardhi.
Demokrati akuzon më tej Ramën se e trajton sistemin e drejtësisë si një instrument pushteti dhe jo si një të drejtë që duhet t'u garantohet qytetarëve.
“Reforma në Drejtësi nuk mund të quhet sukses kur qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi dhe kur pushteti politik kërkon të kontrollojë çdo hallkë të saj. Ky është dështimi për të cilin Edi Rama duhet të japë llogari”, përfundon Bardhi.






















