
Për të 37-ën ditë radhazi, banorët e Divjakës kanë vijuar protestën kundër projektit për Reformën e re Administrative-Territoriale, që parashikon shkrirjen e Bashkisë Divjakë.
Qytetarët janë mbledhur sërish për të kundërshtuar ndryshimin e propozuar të hartës administrative, duke kërkuar që Divjaka të ruajë statusin e saj si bashki më vete. Sipas tyre, shkrirja e njësisë vendore do të ndikonte drejtpërdrejt te përfaqësimi i komunitetit dhe aksesi në shërbimet publike.
Gjatë protestës, banorët kërkuan përgjegjësi nga deputetët që përfaqësojnë zonën, si dhe nga kryeministri Edi Rama, duke argumentuar se Divjaka nuk duhet të mbetet pa institucionet e saj vendore.
Në fjalimet e mbajtura gjatë tubimit, protestuesit vunë theksin edhe te pesha ekonomike e zonës, veçanërisht në sektorët e bujqësisë dhe turizmit. Sipas tyre, humbja e autonomisë vendore mund të sjellë pasoja për ekonominë e familjeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të Divjakës.
Por protesta e ditës së 37-të nuk u kufizua vetëm te tubimi. Pas fjalimeve, qytetarët nisën një marshim përgjatë rrugëve kryesore të Divjakës, duke përsëritur kundërshtimin e tyre ndaj projektit të reformës territoriale.
Banorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë pa ndërprerje, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për ruajtjen e Divjakës si bashki më vete.






















