Politika 7 September 2026, 12:53 Nga VNA

Shteti që zbaton Kushtetuesen vetëm kur i leverdis/ Nga lëmshi i pagave te pengmarrja institucionale e drejtësisë

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-09-07 at 12.53.01 PM.jpeg

Javën e kaluar media, politika dhe drejtësia u përfshinë në një debat të ashpër për pagat e gjyqtarëve. Një debat që, pavarësisht zhurmës së madhe, në thelb ishte i stisur. Fitilin e ndezi fillimisht Ministria e Financave, më pas në të u përfshinë Kryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

Në pamje të parë, përplasja duket sikur është për paratë: sa duhet të paguhen gjyqtarët dhe prokurorët dhe si duhet të llogariten pagat e tyre. Në të vërtetë, ajo që ndodhi javën e kaluar zbuloi diçka shumë më serioze: një shtet që ka vendim, ka afat, ka institucione që duhet ta zbatojnë, por në fund askush nuk arrin ta zbatojë.

Dhe pikërisht këtu ia vlen t’i marrim faktet me radhë.

Në fillim është një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Një vendim që përcakton një afat të prerë dhe mjaft të qartë për zbatimin e tij në lidhje me pagat e magjistratëve. Gjykata Kushtetuese detyron Kuvendin të rishikojë – domethënë të miratojë një tjetër akt – ligjin që ka efekt mbi llogaritjen e pagave të sektorit gjyqësor.

Kuvendi nuk e bëri brenda afatit.

Këtu nis seria e dështimeve institucionale.

Pas mosveprimit të Kuvendit, gjykatat në vend, nga Gjykata e Lartë deri te ato të hierarkisë më të ulët, përllogaritën vetë pagat dhe i dërguan për ekzekutim në Thesar.

Por këtu u shfaq dështimi i dytë: vetë gjyqësori nuk pati një qëndrim uniform se si duhej të llogariteshin pagat. Nuk ishin uniforme as përllogaritjet.

Gjyqësori, institucioni që duhet t’i njohë ligjet më mirë se kushdo, nuk arriti të prodhonte një qëndrim të unifikuar. Nga ana operacionale kjo u përkthye në interpretime të ndryshme të ligjeve dhe udhëzimeve që rregullojnë këtë pjesë. Po ashtu u la mënjanë fakti se ekziston edhe një ligj për buxhetin. Kjo i dha Ministrisë së Financave një argument procedural për të mos proceduar me pagat e rishikuara.

Dhe këtu fillon rrëmuja tjetër.

Në praktikën operacionale, Ministria e Financave nuk rezultoi më e kthjellët se gjyqësori. Thesari fillimisht kishte përpara urdhrat e institucioneve, më pas pagat u bllokuan pa dallim, pavarësisht se punonjësit e administratës së gjyqësorit i kishin përllogaritjet e pagave të sakta. Në fund u ekzekutuan pagat e vjetra, sipas një baze ligjore që ishte rrëzuar si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pra krijohet një situatë pothuajse oruelliane: vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm, por nuk zbatohet; baza e vjetër ligjore është rrëzuar, por pagat ekzekutohen sipas saj; baza e re mungon, sepse institucioni që duhej ta krijonte nuk e krijoi në kohë.

Kjo rrëmujë tregon edhe diçka tjetër: Ministria e Financave nuk duket se ka procedura të brendshme operacionale të qarta për raste të kësaj natyre dhe administrimi përfundon te urdhrat verbalë apo komunikimet me email.

Por thembrën e Akilit të gjithë kësaj historie e zbuloi, me apo pa dashje, Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.

Deklarimi i tij publik nxori në pah dy elemente thelbësore.

I pari lidhet pikërisht me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pas deklarimit se vendimet e Kushtetueses janë të detyrueshme për zbatim – pra pasi ministri u pozicionua si përfaqësues i një qeverie që e njeh dhe e respekton ligjin – doli se vendimi nuk ishte zbatuar për shkak të boshllëkut të bazës ligjore.

Por pikërisht këtu fillon problemi.

Ministri i Drejtësisë duhet ta dijë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte edhe një afat zbatimi, madje të prerë. Nëse mungonte baza ligjore që do të mundësonte zbatimin e tij, ekzekutivi kishte për detyrë të përgatiste menjëherë bazën e përshtatshme ligjore dhe ta paraqiste pa vonesë në Kuvend.

Në të kundërt, mungesa e bazës ligjore nuk është më një shpjegim për moszbatimin. Bëhet vetë pjesë e problemit.

Dhe më pas del një tjetër fakt: Kuvendit i është dërguar një propozim në fund të korrikut, pikërisht kur Kuvendi mbyll punimet.

Këtu ajo që paraqitet publikisht si “vonesë”, “zvarritje” apo boshllëk institucional fillon të ngrejë një pyetje tjetër: a kemi të bëjmë me paaftësi institucionale apo me obstruksion të qëllimshëm të kamufluar si vonesë administrative?

Pika e dytë që zbuloi Toni Gogu lidhet me argumentin për ekuilibrin financiar dhe shqetësimin që kostot të mos rëndojnë qytetarët që paguajnë taksat.

Nga deklarimi i ministrit krijohet përshtypja se ajo që ka shkuar në Kuvend, ose ajo që qeveria synon të mbrojë, është një version tjetër sasior nga ai që rrjedh prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sigurisht që qeveria ka të drejtë dhe detyrim të bëjë llogaritë financiare. Por jo si kofini pas të vjelit. Jo pasi Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar parimin dhe pasi afati për ndërhyrjen ligjore ka përfunduar.

Dhe pikërisht këto dy elemente e çojnë historinë përtej një lëmshi institucional.

E çojnë te pengmarrja institucionale.

Sepse nëse institucioni që duhet të krijojë kushtet ligjore për zbatimin e një vendimi nuk i krijon ato në afat dhe më pas përdor mungesën e tyre si argument përse vendimi nuk mund të zbatohet, atëherë kemi krijuar një rreth perfekt burokratik: nuk e zbatoj dot vendimin sepse mungon ligji; ligji mungon sepse nuk e miratova në kohë; dhe për shkak se ligji mungon, vazhdoj të mos e zbatoj vendimin.

Të kuptohemi: VNA.al nuk ka ndonjë ndjesi të veçantë për nivelin e pagave të gjyqësorit. Vetë vlera e tyre është një temë që mund dhe duhet të debatohet në opinionin publik.

Rëndësia e kësaj historie është tjetër. Ajo nxori në pah lëmshin institucional brenda shtetit dhe mënyrën se si ky lëmsh mund të shndërrohet në mekanizëm pengues kur duhet zbatuar një vendim që nuk i pëlqen ekzekutivit.

Por historia ka edhe anën tjetër.

Në këtë mospërfillje që po provojnë nga ekzekutivi, gjykatat duket sikur po hanë një pjesë të gjellës që gatuajnë vetë.

Ndoshta kjo përvojë duhet t’i ndihmojë të kuptojnë çfarë shqetësimi u shkaktojnë qytetarëve dhe bizneseve kur zvarrisin proceset, vonojnë zbardhjen e vendimeve, krijojnë lëmsh juridik me interpretime të parregullta dhe jo në frymën e parimin e drejtë të ligjit apo përdorin hile procedurale me transferime të paplota dosjesh nga një gjykatë në tjetrën.

Sepse për qytetarin mekanizmi është i njëjtë. Ai mund ta ketë ligjin në krah. Mund ta ketë edhe vendimin. Por nëse institucioni që duhet ta zbatojë vendos ta zvarrisë, e drejta ekziston vetëm në letër.

Dhe pikërisht këtu debati për pagat bëhet shumë më i madh se paga e një gjyqtari.

Ne të gjithë presim që gjyqësori të ketë kurajën të përplaset me qeverinë në funksion të drejtësisë. Jo vetëm kur paraja nuk shkon në xhepin e vet, por edhe kur qytetari përballet me të njëjtën padrejtësi institucionale dhe nuk ka askënd që të ngrejë zërin për të.

Sepse një shtet ku vendimet zbatohen vetëm kur administrata gjen të përshtatshme t’i zbatojë, nuk ka më problem me pagat.

Ka problem me vetë kuptimin e ligjit.

Video

Një grup qytetarësh janë mbledhur para Kryesisë së Kuvendit, ndërsa pritet të nisë Konferenca e Kryetarëve.

Rusia ka rifilluar sulmet masive me raketa dhe dronë ndaj Kievit, vetëm pak pasi të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump përfunduan vizitën e tyre në kryeqytetin ukrainas, ku po përpiqeshin të ringjallnin negociatat për përfundimin e luftës. Sulmet nisën në orët e para të mëngjesit duke goditur disa zona të kryeqytetit ukrainas. Sipas autoriteteve lokale, të paktën dy persona humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se mbetjet e raketave dhe dronëve shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi, përfshirë një pallat pesëkatësh dhe një ndërtesë tjetër trekatëshe.

Protesta e administratës së Gjykatës së Tiranës pas ngërçit me pagat. Në Dhomën Civile janë ndërprerë shërbimet.

Bojkot edhe në Dhomën Penale të Gjykatës se Tiranës për shkak se qeveria iu ka bllokuar pagat duke mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme