Sali Berisha ka gjetur në Nju Jork skenën e radhës për të bërë atë që di më mirë: të ulet në një tavolinë me shqiptarë, të marrë mikrofonin dhe ta kthejë vaktin në leksion për Shqipërinë, Amerikën, Meksikën, krimin, drogën, dollarin, euron dhe fatin ekzistencial të kombit.
Në pamje të parë, ishte një takim me diasporën. Në thelb, një nga ato skenat ku politika shqiptare merr formën më të njohur: disa njerëz të ulur për të ngrënë, një lider në krye të tryezës dhe një ligjëratë që nis me Shqipërinë, kalon nga kartelet e Meksikës dhe përfundon te misioni historik i emigrantëve.
Berisha foli për shpopullimin, për drogën, për zhvlerësimin e euros e dollarit, për falimentimin e bizneseve, për “çifligun e një njeriu” dhe për një regjim që sipas tij po e gërryen Shqipërinë nga brenda. Në një moment, Shqipëria u krahasua edhe me Meksikën, ku sipas Berishës efekti i parave të pista në ekonomi është më i vogël se në vendin tonë.
Pra, shqiptarët në Nju Jork kishin dalë për një takim, ndoshta edhe për një vakt, por përfunduan në një kurs të përshpejtuar mbi gjeopolitikën e krimit, ekonominë informale, remitancat, narkotrafikun dhe historinë e platformave të shpopullimit. Nga pjata te Çubrilloviçi, nga dollari te droga, nga diaspora te shpëtimi kombëtar.
Ironia është se Berisha, i cili prej vitesh është vetë një nga figurat më të gjata dhe më të diskutueshme të tranzicionit shqiptar, u foli shqiptarëve të larguar për dramën e largimit nga Shqipëria. Sikur shpopullimi të ketë nisur dje. Sikur vendi të jetë zbrazur vetëm nga qeverisja e Ramës dhe jo nga një sistem politik ku Berisha ka qenë jo spektator, por aktor kryesor për më shumë se tri dekada.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së e paraqiti diasporën si shpresën e fundit për të shpëtuar Shqipërinë nga kapja e shtetit, propaganda dhe krimi i organizuar. Dhe këtu tabloja bëhet edhe më cinike: politika që për vite i ka larguar shqiptarët nga vendi, tani u kërkon atyre, nga larg, të shpëtojnë vendin që vetë nuk arriti ta bëjë të jetueshëm.






















