Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin qendror të Zagrebit për të protestuar kundër vonesave të qeverisë kroate në pastrimin e një sasie të madhe mbetjesh të depozituara pranë qytetit të Gospiçit.
Protesta, një nga më të mëdhatë e zhvilluara në Kroaci gjatë viteve të fundit, u organizua me moton “Ecje për Likën”. Qytetarët kërkuan largimin urgjent të rreth 34 mijë deri në 37 mijë tonëve mbetje, të zbuluara në një zonë të rajonit malor të Likës.
Sipas autoriteteve, një pjesë e madhe e mbetjeve ishte importuar nga Italia gjatë viteve 2023 dhe 2024. Ambientalistët pretendojnë se mes tyre gjenden mbetje mjekësore dhe industriale, të cilat po ndotin ajrin, tokën dhe ujërat nëntokësore. Ata paralajmërojnë se ndotja mund të rrezikojë edhe ujin e pijshëm dhe shëndetin e banorëve.
Manifestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Mushkëritë e Kroacisë nuk mund të marrin më frymë”, “Ndaloni shkatërrimin e Kroacisë” dhe “Natyra nuk fal”. Ata akuzuan qeverinë se ka vepruar shumë ngadalë, pavarësisht premtimeve për pastrimin e territorit.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, deklaroi se është zgjedhur kompania që do të realizojë fazën e parë të largimit të mbetjeve. Protestës iu bashkua edhe aktori i njohur kroat Rade Šerbedžija, i cili kërkoi që personat përgjegjës të japin llogari.
“Është detyra jonë të ngrihemi për vendin tonë. Ajo që ka ndodhur është një turp dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi aktori.






















